“Zvogëlimi i marzheve për tregtimin e derivateve nga 4,5 në tre denarë, ose 33 për qind, me vendim të Komisionit Rregullator, paraqet marzhin më të ulët në histori për tregtarët dhe ka krijuar kushte jotregtare që do të sjellin krizë me furnizimin me naftë dhe derivatet e naftës”.
Kështu thonë nga “Makpetrol”, në lidhje me vendimin e Qeverisë për uljen e marzhës për derivatet e naftës. Nga “Makpetrol” shtojnë se duke pasur parasysh lidhjen e ngushtë mes shpërndarjes së rregullt të karburanteve dhe funksionimit normal të shoqërisë, ekziston rreziku serioz i një bllokimi të plotë të ekonomisë, jo vetëm në planin afatshkurtër, por edhe në atë afatgjatë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Makpetrol paralajmëron se një ulje e tillë e marzhit mund t’i detyrojë disa tregtarë të ndalojnë shitjen e derivateve dhe ky është një opsion që ata po e shqyrtojnë seriozisht.
“Masat e tilla që Komisioni Rregullator Energjetik dhe institucionet e tjera i vendosin pa asnjë konsultim me tregtarët, në këtë rast me ata për naftën dhe derivatet e naftës, janë të papërshtatshme për krizën globale, e cila posaçërisht prek kompanitë që merren me furnizim me karburant. Ky sektor ka operuar me humbje javët e fundit për shkak të metodologjisë joadekuate të llogaritjes, e cila çon në çmime blerjeje më të larta se çmimi ekzistues me pakicë. Me uljen e mëtejshme të marzheve, humbjet do të jenë të mëdha. Theksojmë se kjo mund të detyrojë disa tregtarë të ndalojnë shitjen e derivateve dhe ky është një opsion që Makpetrol po e shqyrton seriozisht”, thonë nga kompania e naftës.
Nga “Makpetrol” gjithashtu thonë se kompanitë që furnizojnë me naftë dhe derivate të naftës “nuk mund të mbajnë barrën e mbajtjes artificiale të çmimeve të ulëta të karburanteve, si kategori sociale”.