Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, ku një shqiptar rezident në Casirate d’Adda ka humbur jetën në pastiçerinë ku punonte. Arjan Çekani, fillimisht mbeti i plagosur rëndë pasi tentoi të zhbllokonte makinerinë e punës.
Krahu i tij ngeci në ingranazhin e makinerisë dhe më pas u thith prej saj, duke krijuar një skenë horror për sytë e forcave ndërhyrjes së shpejtë, të cilët shkuan me urgjencë në firmën e pastiçerisë “Piuma d’Oro”.
Arjan Cekani u shtrua në spitalin Niguarda në Milano, por ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
40-vjeçari, baba i dy fëmijëve ishte i punësuar me një kontratë me afat të caktuar për këtë periudhë me ngarkesën e prodhimit. Gruaja e tij u bë dëshmitare kur ndodhi aksidenti i rëndë dhe humbi ndjenjat kur pa bashkëshortin të plagosur rëndë.1 of 2
Në vend shkuan menjëherë të lajmëruar nga punonjësit e tjerë, urgjenca e spitalit të Treviglios, një helikopter nga Bergamo, zjarrfikësit, teknikë dhe agjentë të Komisariatit të Policisë së Treviglios.
Fillimisht ishin zjarrfikësit ata që nxorën nga makineria 40-vjeçarin, i cili pësoi një arrest kardiak për shkak të hemorragjisë së madhe. Menjëherë u reanimua dhe më pas u transportua me helikopter për në spital.
Të hënën në mbrëmje, mjekët e futën në një operacion të vështirë për t’i shpëtuar krahun, por gjendja e shqiptarit mbeti kritike deri mbrëmjen e kaluar, kur spitali njoftoi vdekjen e tij.
Arjani kishte shkuar në Itali njëzet vjet më parë, e më pas kishte kaluar një jetë me sakrifica për t’i dhënë familjes së tij një të ardhme.