Vendosja e stacioneve të karikimit për makinat elektrike pritet të fillojë nga zonat turistike dhe pikat kufitare në Shqipëri.
Të paktën kështu specifikon një dokument i Agjencisë së Eficiencës së Energjisë (AEE) e cila çeli këtë të hënë një tender të lidhur me këtë aspekt.
Në objekt të kontratës është “Realizim punimesh, projekt zbatimi dhe Auditimit për vendosjen e stacioneve të karikimit për makinat elektrike në qytetin Sarandë, Gjirokastër, Himarë, Vlorë, Durrës, Velipojë, Shkodër, Korçë dhe në pikat kufitare- rruga e energjisë së pastër”.
“AEE ka përfunduar një studim për sektorin e transportit, për ngritjen e rrjetit të karikuesve të makinave elektrike dhe mbështetur mbi këtë studim do të vazhdohet me procesin e implementimit dhe fillimin e ngritjes së rrjetit të karikuesve të makinave elektrike. Gjithashtu gjatë vitit 2021 e në vazhdim AEE ka instaluar në qytetin e Tiranës 4 karikues makinash AC 22kW dhe 1 DC 350 kW si dhe gjatë vitit 2022 ka në proces instalimin e një karikuesi DC 50 kW në qytetin e Shkodrës”, thuhet në dokumintin e tenderit.
“Mbështetur në Planin Kombëtar të Veprimit për Energjinë dhe Klimën në lidhje me sektorin e transportit vendi ynë ka si detyrim uljen e konsumit të karburanteve fosile si dhe ndotjes së ambientit që vjen prej tij. Për këtë qëllim objektivi i qeverisë shqiptare është instalimi i 200 deri 300 stacione karikimi deri në vitin 2025 në të gjithë vendin”, shtohet në dokument.
“AEE po bashkëpunon me qeverinë shqiptare si dhe me institucione ndërkombëtare për të gjetur fondet e nevojshme për realizimin e investimeve në këtë 2 sektor për të arritur dhe objektivat kombëtarë lidhur me reduktimin e shkarkimeve të drejtpërdrejta e të tërthorta të CO2, si dhe ndikimet në mjedis, kundrejt institucioneve të Bashkimit Evropian, si anëtare nënshkruese e traktatit së energjisë”, thuhet në dokument. /Telegrafi/