Telegrafi

Aksident me dy viktima në rrugën Elbasan-Librazhd, makina përfundon në përrua

Një aksident i rëndë me dy viktima ka ndodhur në aksin rrugore Elbasan-Librazhd.

Rreth orës 07:45, në aksin rrugor “Librazhd-Prrenjas”, shtetasi A. Y., rreth 55 vjeç, banues në Devoll, duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e Lengajcës, thuhet në njoftimin e policisë.

“Nga ky aksident kanë humbur jetën shtetasi A. Y. dhe bashkëshortja e tij, shtetasja M. Y., rreth 50 vjeçe, e cila ishte pasagjere në këtë automjet”, shton policia në informacionin paraprak për publikun.

Shërbimet e Policisë dhe ato të Zjarrfikëses ndodhen në vendin e ngjarjes dhe vijojnë punën për nxjerrjen e trupave.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti. /Telegrafi/