Makina tip “Range Rover” që u përdor në atentatin me 3 të vrarë dhe 1 të plagosur në Shkodër, rezulton e vjedhur në Durrës.
Policia ka mundur të zbulojë se ajo është e njëjta makinë që ishte denoncuar disa muaj më parë nga pronari i saj në qytetin bregdetar.
Kjo e dhënë e përftuar nga grupi hetimor, ka dalë pas këqyrjes numrit të mbetur në shasinë e mjetit që u gjet i shkrumbuar terësisht në fshatin Golem të Shkodrës, sëbashku me dy automatikë të përdorur në ngjarje.
Ky informacion ka zgjeruar hetimin e policisë dhe prokurorisë se Shkodrës, që po kryejnë veprime për të kuptuar nëse autorët e vjedhjes së automjetit kanë lidhje me ata të vrasjes.
Hetuesit po vijojnë gjithashtu kërkimet për këtë person që shfaqet në vendin e ngjarjes pranë trupave të viktimave Hamza Lici e Arlind Bushati. Ai dyshohet se ka qenë në makinë me viktimat, por nuk është identifikuar ende.
Grupi hetimor nuk përjashton mundësinë që ai të jetë i shumëkërkuari Ibrahim Lici, vëllai i Hamzait që ishte në drejtimin e makinës tip “Benz” me targa korate që u qëllua me 30 plumba nga atentatorët.
Grupi hetimor është në pritje të rikuperimit të pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë, DVR-të e të cilave rezultuan të koduara. Administrimi i tyre do ndihmonte hetuesit për të kuptuar itinerarin e lëvizjes së vrasësve, që dyshohet se kanë qenë për disa minuta në ndjekje të viktimave dhe i qëlluan për 300 metra në ecje.
Deri në këtë fazë, hakmarrja është pista kryesore e hetimit, për zbardhjen e ngjarjes që u mori jetën Hamza Licit, Arlind Bushatit dhe kalimtares Flutura Basha dhe la të plagosur bashkëshortin e kësaj të fundit./Tv Klan