Një burrë nga Illinoisi tha se fitoi një çmim prej 9.2 milionë dollarësh në lotari vetëm sepse pati probleme me një makinë shitëse të biletave.
Lojtari tregoi për zyrtarët e Lotarisë së Illinoisit se historia e tij fituese filloi gjatë një shëtitjeje për të blerë ushqime në një dyqan Jewel në Addison.
“Ishte një ditë normale, si çdo tjetër. Po merrja ushqime në Jewel dhe, ndërsa po dilja, vendosa të blej një biletë lotarie”, tha burri.
Lojtari tregoi se pati disa probleme ndërsa përdorte makinën shitëse të biletave të lotarisë, shkruan upi.com.
“Në fakt, doja të blija një biletë për një lojë tjetër, por makina ngeci në Lotto. U mërzita pak. Thashë, ‘Çfarë po ndodh? Makina nuk po më jep lojën e duhur!’ Kështu që vendosa ta blej biletën e Lotto-s,” tregoi ai.
Bileta përfundoi duke i sjellë burrit një çmim prej 9.2 milionë dollarë në shortin e Lotto të datës 24 gusht.
“Të nesërmen në mëngjes, e skanova biletën në një makinë për të parë nëse kishte fituar. Kur makina tregoi shumën prej 9.2 milionë dollarësh, nuk mund ta besoja!”, tha fituesi dhen shtoi se “e pashë gruan time dhe ajo mbeti pa fjalë. Po qeshnim me sa i zemëruar isha për makinën e prishur – dhe jemi shumë mirënjohës për mënyrën se si përfundoi gjithçka”.
Lotaria e Illinoisit tha se ky është çmimi i dytë më i madh i fituar në lojën Lotto këtë vit, pas një çmimi prej 10.4 milionë dollarësh të fituar në muajin shkurt. /Telegrafi/