Site icon Telegrafi

Majmuni hajdut shkakton panik në Afrikën e Jugut, dërgohen ekipe për ta kapur

Një kompani sigurie në Afrikën e Jugut njoftoi se në një shtëpi janë dërguar ekipe pas një alarmi paniku që u shkaktua nga një majmun hajdut.

Kompania e sigurisë Mi7 National Group tha se dhoma e saj e kontrollit mori sinjale të shumta alarmi paniku nga një shtëpi në Northdale një ditë pas Krishtlindjes, përcjell Telegrafi.

“Nën përshtypjen se klienti duhet të ketë qenë në ankth, disa njësi u dërguan menjëherë në shtëpi”, tha kompania.

“Me mbërritjen e ekipit të parë, klienti i informoi ata se një majmun kishte hyrë në shtëpi dhe kishte kapur një telekomandë që përmbante butonin e panikut”, shtoi ajo.

Majmuni iku me telekomandën dhe kompania vazhdoi të merrte sinjale paniku derisa primati ishte jashtë rrezes së marrësit.

“Në një kthesë të pazakontë të ngjarjeve, klienti vendosi të mos i detyronte ekipet tona të ndiqnin fajtorin dhe ta linin të ikte me plaçkën”, shkruan zyrtarët. /Telegrafi/

Exit mobile version