Telegrafi

Majmunët e uritur sulmojnë fëmijët, thatësira e madhe në Etiopi i çon në ‘luftë’ njerëzit dhe kafshët

Majmunët e uritur po sulmojnë fëmijët në pjesën lindore të Etiopisë, pasi që thatësira e madhe e goditi vendin.

Organizata ndërkombëtare e bamirësisë Save the Children, raportoi se intensiteti aktual i thatësirës në vend është i paparashikueshëm.

Abdirazak Ahmed, menaxheri i operacioneve të zonës lindore të Etiopisë për Save the Children, në një deklaratë të bërë para tre muajve tha se organizata pranoi disa raporte se majmunët e egër kishin filluar të sulmojnë disa komunitete, sidomos në zonat e Dawa dhe Shabelle, transmeton Telegrafi.

Majmunët kanë filluar të bëhen agresivë, e shumë familje përdorin shkopinj në mënyrë që të mbrohen ndaj tyre.

Etiopia momentalisht po përjeton thatësirën më të madhe në 50 vitet e fundit.

Sipas Oxfam, modelet e motit El Nino, që shkaktohen nga efektet e ndryshimeve klimatike, kanë bërë që reshjet e shiut të çrregullohen, duke shkaktuar tharjen e burimeve të ujit. /Telegrafi/