Kelmendi të shtunën do të garojë në Grand Slamin e Parisit, që vlerësohet një prej garave të veçanta në sportin e xhudos. Këtë garë Majlinda e kishte fituar vitin e shkuar (shkurt 2014), ndërkohë që para një viti kishte zhvilluar garën e fundit të madhe, kur kishte triumfuar në turneun Grand Slam në Abu Dhabi, shkruan sot Koha Ditore.
Kelmendi, që garon në kategorinë deri 52 kilogramë, u është kthyer garave në shtator pas një mungese afro dhjetë muaj. Ajo fitoi vendin e parë në garën e Kupës së Evropës në Bratislavë, ndërsa po ashtu fitoi vendin e parë fundjavën e kaluar në Kupën e Evropës në Lisbonë. Në këtë garë, në finale ishte përballur me Distria Krasniqin. Edhe Distria do të garojë në Grand Slamin në Paris. Në kategorinë 57 kilogramë do të garojë Nora Gjakova.
"Është një turne i madh i nivelit botëror dhe do të ishte mrekulli nëse Majlinda fiton medalje. Do të ishte një sinjal i fuqishëm për më tutje. Majlinda në Lisbonë tregoi performancë solide, por kjo garë është krejtësisht diçka tjetër. Majlinda është e disponuar për të luftuar, mirëpo kjo garë është e fortë dhe e veçantë", ka thënë seleksionuesi i Kosovës, Driton Kuka, për gazetën.