Site icon Telegrafi

Majlinda pushton Francën, sërish bëhet kampione (Video)


E plotësuar: Kampionja botërore, Majlinda Kelmendi, edhe një herë dëshmoi se pse është më e mira në botë duke e rrëzuar me ‘ippon’ kundërshtaren e saj në finale të kategorisë -52kg në Grand Slamin e Parisit. 

Xhudistja kosovare edhe këtë luftë e përfundoi për 1 minutë e gjysmë duke mos i dhënë asnjë shans të vetme kundërshtarës së saj, Jaana Sundberg. 

Pas kësaj fitore, Majlinda do ta forcojë pozitën e parë në ranglistën botërore me pikët që do t’i arkëtojë nga kjo garë me renome botërore. 


E plotësuar: Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi, është mposhtur nga xhudistja e Argjentinës, Paula Parreto, për shkak të një dënimi nga gjyqtari i takimit edhe pse ka dominuar gjatë gjithë kohës. Kështu, Distria renditët e pesta në kategorinë -48kg të këtij Grand Slami.


Krenaria e Kosovës në xhudo, Majlinda shkëlqeu sot në të gjitha përballjet e saj. Ajo mposhti dy kundërshtaret e para, Ecaterina Guica dhe Bundmaa Munkhhbaatar për më pak se 1 minutë e gjysmë duke i rrëzuar me ‘ippon’, kurse në gjysmëfinale e mposhti gjermanen Mareen Kraeh përsëri me ‘ippon’ për vetëm 3 minuta.

Luanesha e Kosovës tashmë është në pritje për ta zhvilluar finale e madhe kundër finlandezes Jaana Sundberg, dhe për këtë është favorite, duke marrë parasysh kualitetin e saj.

Në anën tjetër, xhudistja Distria Krasniqi deri më tani ka zhvilluar tri lufta. Në sfidën e saj të parë u përball me xhudisten Leandra Freitas nga Portugalia, të cilën pas një lufte të vështirë e mposhti me dy ‘yuko’. Në ndeshjen e dytë e mposhti medalisten e bronztë nga Lojrat Olimpike 2012, Eva Csernoviczkin nga Hungaria me ‘ippon’. Njejtë e mposhti e mposhti edhe xhudisten Mestre Alvarez Dayaris nga Kuba, për t’u kualifikuar kështu në gjysmë-finale.

Në gjysmëfinale iu desh të ndeshej me xhudistën japoneze Emi Yamagishi e cila u tregua më e përgatitur dhe arriti ta mposhtë kosovaren me një ‘ippon’, duke ia mohuar kështu të drejtnë për t’u kualifikuar në finale të këtij Grand Slami. Sidoqoftë, Distria tani do të përballet me Paula Pareton nga Argjentina për vendin e tretë në kategorina -48 kg.

Vlen të përmendet se Distria me 3 shkurt 2014 fitoi edhe medaljen e artë në European Open që u mbajt në Sofje të Bullgarisë. Ajo shënoi gjithsej katër fitore për të dalë e para në kategorinë e saj -48 kg.

Dy ndeshjet e mbetura për xhudistet kosovare, finalja e Majlindës dhe lufta për vendin e tretë të Krasniqit, do të zhvillohen në ora 17:00 dhe këto ndeshje mund t’i përcillni në kanalin zyrtar të kësaj gare, Ippon TV: http://www.ippon.tv/#JudoParis2014 . /Telegrafi/

Exit mobile version