Site icon Telegrafi

Majlinda Kelmendi, shpresa e vetme për Galatasarayn

Në të vërtetë Kelmendi është pjesë e klubit Ippon nga Peja, por është huazuar te Galatasaray për këtë garë. Edhe vitin e kaluar Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova ishin paraqitur për Galatasarayn në këtë garë dhe falë paraqitjeve të tyre ky klub kishte fituar medaljen e bronztë, që është suksesi më i madh në histori të këtij klubi të njohur turk. Megjithatë, këtë vit Nora Gjakova nuk do të marrë pjesë pasi që po vuan nga një lëndim në gju.

“Paraqitja jonë për Galatasarayn bëhet në formë huazimi që lejohet nga Federata Evropiane. Bëhet fjalë për garën më të madhe për të klubeve. Garojnë klubet më të mëdha evropiane të përforcuara shumë me xhudistët ndër më të mirë në botë”, ka thënë fillimisht Kelmendi për Kohën Ditore.

“Garat zhvillohen në pesë kategori. Për ne është hendikep i madh mungesa e Norës për shkak të lëndimit. Me të në përbërje do të ishim favoritë për medalje të artë. Tani realisht kemi gjasa më të vogla, pasi në dy prej kategorive nuk kemi garuese cilësore”, ka shtuar Kelmendi për gazetën.

Në këtë garë do të paraqiten 20 klube te meshkujt e 15 te femrat. Kampion në fuqi janë TSV Abensberg nga Gjermania te meshkujt, e Red Start Champigny i Francës te femrat.

Ky ishte viti më i suksesshëm në karrierën e xhudistes pejanë, pasi që fillimisht fitoi medaljen e bronztë në Kampionat Evropian në kategorinë deri 52kg, e më pastaj i bëri krenarë shqiptarët anë e mbanë botës me medaljen e artë në Kampionatin Botëror. /Telegrafi/ 

Exit mobile version