Telegrafi

Majlinda Kelmendi dekorohet me Medaljen Presidenciale të Meritave

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur sot sportisten me famë botërore, kampionen absolute të botës në xhudo për vitin 2014, Majlinda Kelmendin, duke i dhënë Medaljen Presidencial të Meritave për arritjet e saj në sportin e xhudos. Me këtë rast, Jahjaga uroi Majlinda Kelmendin për të arritjet në skenën ndërkombëtare duke u shprehur se ”ajo përfaqëson krenarinë e vendit dhe është shembull inspirimi për gjeneratat e ardhshme.”

Jahjaga theksoi se, me anëtarësimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar tashmë të rinjtë nga Kosova do të kenë mundësinë të përfaqësojnë denjësisht shtetin në skenën ndërkombëtare, ndërsa u zotua se institucionet e vendit do të vazhdojnë të mbështesin sportistët të cilët me talentin e tyre e përfaqësojnë Kosovën në botë.

Majlinda Kelmendi falënderoi Presidenten Jahjaga për mirënjohjen dhe për mbështetjen e vazhdueshme qe ka gjetur tek Presidentja dhe gjitha institucionet e vendit. Javë më parë, gjatë vizitës së tij në Kosovë, kryetari i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF), Marius Vizer i cili po ashtu ishte dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave të Republikës së Kosovës, për ndihmën e dhënë në ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës, e kishte shpallur Majlindën si xhudisten absolutisht më të mirë në botë për vitin 2014, në të gjitha kategoritë, me 4230 pikë të mbledhura. Vizer kishte theksuar se, suksesi i Majlindës, trajnerit të saj Toni Kuka dhe sportit të xhudos, kanë qenë promotori më i mirë i sportit kosovar në arenën ndërkombëtare dhe përfundimisht i kanë mundësuar sportit kosovar për të hyrë në familjen Olimpike ndërkombëtare.