Site icon Telegrafi

Majlinda, heroina që na largoi nga politika

Thjesht, Majlinda është më e merituara për këtë, pasi ajo mposhti të gjithë. E çka mund të bënin njerëzit e rëndomtë për të? Të flasin, të komentojnë dhe t’i gëzohen suksesit më të madh në historinë e sportit kosovar. Kjo ishte gjëja më e vogël që mund të bëhej për Majlinda Kelmendin, e cila i la të gjithë gojëhapur , madje edhe skeptikët më të mëdhenj, të cilët nuk besonin se kjo xhudiste pas Lojërave Olimpike “Londra 2012” do t’i kthehet shkëlqimit dhe titujve në arenën botërore. Vetëm tani po e kuptojmë se sa të etshëm kemi qenë për një medalje, për një titull botëror, i cili sikur na ka munguar. Gjeneratat e reja sikur kanë harruar kur një sportist i Kosovës ka arritur medalje në kampionat botëror.

Në fakt, boksieri Mehmet Bogujevci në vitin 1978 në kampionatin botëror të mbajtur në Beograd arriti të bëhet nënkampion bote, duke siguruar medaljen e argjendit, por këtë e kishte bërë në fanellën e përfaqësueses së ish- Jugosllavisë. Bogujevci është krenar për suksesin e tij, por suksesin e Majlindës e vlerëson si diçka të veçantë.

“ Nuk ka se si të mos ndihesh i lumtur kur dëgjon për rezultate të tilla, kur më në fund e sheh flamurin e shtetit tonë të ri se si valëvitet lart . Nuk ka dilema, kjo është e arritura më e madhe në historinë e sportit të Kosovës. Suksesi është aq më i madh kur arrihet në moshë të re, andaj mund të them lirisht se ky është vetëm fillimi i epokës së Majlinda Kelmendit, e cila ka kapacitet edhe për më shumë suksese. Ajo me sjelljen e saj dhe me edukatën e treguar, ka dëshmuar se me punë arrihet çdo gjë. Mirëpo, për këtë duhet pasur përkrahjen e Majlinda e ka pasur përkrahjen së pari nga klubi i saj e pastaj nga të tjerët. Rezultati nuk është i rastit, por i një pune sistematike për shumë vjet. Natyrisht se në sport ndodhin edhe dështimet siç ishin në Londër, por Majlinda ka treguar se ka karakter të fortë dhe shumë shpejt është kthyer në majat e xhudos botërore”, tha Mehmet Bogujevci . Kuptohet se ndër më të gëzuarit ishte kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani.

“ Kjo është një ngjarje historike për lëvizjen Olimpike të Kosovës dhe mund të them se po hapet një faqe e re në historinë e sportit tonë. U konkretizua me sukses një mund shumëvjeçar i trajnerit dhe i institucioneve tona, por edhe i donatorëve. Me këto vlera ndërtohet imazhi i shtetit. Thjeshtë Majlinda është heroina jonë dhe asaj duhet t’i dalim hakesh”, tha Bersim Hasani, i cili kishte pranuar edhe urimin nga Marius Vizner, president i Federatës Botërore të Xhudos, për të cilin tha se shumë shpejt do ta vizitojë Kosovën. Akulli u thye, Kosova si shtet më i ri arriti deri te medalja e parë e artë në një botëror dhe nuk ka motiv më të madh për sportistët tjerë pavarësisht nga disiplina, që të marrim mësim nga Majlinda Kelmendi dhe që një ditë medaljet të bëhen tema të rëndomta edhe në vendin tonë. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version