Site icon Telegrafi

Majlinda fiton medaljen e artë në Kupën Botërore në Bjellorusi

Sportistja jonë ka shkëlqyer si javën e kaluar në Romë dhe kësisoj me medaljen e artë siguroi edhe 100 pikë të mëdha olimpike dhe tash më nuk ka dilemë që Kosova për herë të parë në historinë e vet si shtet do ketë sportist që do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike me normë direkte, e që në sportin e xhudos është top 14, pra të jetë në 14 të parat në Ranglistën Olimpike, e cila ka filluar më 1 maj 2010 e përfundon më 1 maj 2012.

Në luftën e pare, xhudistja kosovare mundi garuesen nga Azerbajxhani, Seydi Turana, në luftën e dytë ukrainasen e papërshtatshme, Buiok Maria, për të ardhur në gjysmëfinale, ku për 30 sekonda me ‘ippon’ hodhi turken Aynur Samat.

Në finale Majlinda u përball me italianen Forciniti, e cila në gjysmëfinale mposhti francezen Bonna Penelope, kampione aktuale evropiane, e cila konsiderohej favorite para fillimit të kësaj gare.

Mirëpo, edhe në finale Majlinda dominoi dhe dy herë e hodhi italianen- njëherë për ‘yuko’ dhe herën e dytë ‘ippon’, dhe kësisoj me të gjitha fitoret me ‘ippon’, Majlinda shtetit tonë ia siguroi pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike.

Edhe pse lufta kualifikuese ende vazhdon, ajo tashmë është e kualifikuar, por do të fokusohet që të jetë me plasman sa më të favorshëm e ndoshta edhe në tetë të parat.

“Është kënaqësi që shteti po përkrah aktivitetet e sportistes tonë, si dhe sponsorit gjeneral Shoqatës së sigurimeve të Kosovës, si dhe disa sponsorëve tjerë si ‘Uji Akull’ dhe ‘Illyria’ u shkon një falënderim i madh… Por tani më shumë se kurrë nevojitet shtytje edhe më e madhe e të gjithëve drejt Olimpiadës 2012”, thuhet në kumtesën e lëshuar nga njerëzit që i qëndrojnë pranë xhudistes kosovare. /Telegrafi/

Exit mobile version