Xhudistet më të mira të botës kanë udhëtuar në Tyumen të Rusisë për të marrë pjesë në “World Judo Masters” në Palace of Sport që ka filluar me datën 25 maj dhe do të përfundojë me të 26-tin.
E para në ranglistën botërore, Majlinda Kelmendi, ka qenë e suksesshme këtë vit në turnetë e xhudos kudo që ka marrë pjesë. Ajo fitoi medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Parisit, pastaj fitoi medaljen e artë në Grand Prix të Dusseldorfit dhe Samsunit, teksa së fundmi e fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian që u mbajt në Budapest.
Majlinda raundin e parë e kaloi me short, ndërsa në të dytin e mposhti spanjollen Laura Gomez me një yuko. Ajo në gjysmëfinale e mposhti rumunen Andreea Chitu poashtu me një yuko.
Në finale Majlinda u përball me mongolezen Adiyasambuu Tsolmon të cilën gjithashtu e mposhti me një yuko.
Ky është suksesi i saj i parë në World Judo Masters dhe me gjasë nuk do të jetë i fundit, pasi që me këtë ritëm se si po shkon, ajo do të triumfojë edhe viteve të ardhshme në gara të këtilla.
/Telegrafi/