Site icon Telegrafi

Majlinda dhe Nora në Turqi për turneun Grand Prix

Majlinda Kelmendi vlerësohet favoritja kryesore për të fituar titullin në kategorinë deri 52 kilogramë, në turneun Grand Prix të xhudos që në fundjavë mbahet në Samsun të Turqisë. Ndërsa, xhudistja tjetër, Nora Gjakova, do të garojë në kategorinë deri 57 kg.

Por, për xhudisten kosovare më i rëndësishëm se titulli është verifikimi i formës para kampionatit evropian që nga 25 deri më 27 prill mbahet në Budapest të Hungarisë. Njëjtë si në Samsun, Kelmendi edhe në evropian do të jetë bartësja e parë në kategorinë e saj.

"Është turne i fortë që zhvillohet në formë të përshtatshme për të konfirmuar formën para kampionatit evropian. Konkurrenca është e fortë, ani pse nuk garojnë xhudistet nga Japonia. Por, marrin pjesë francezja Priscilla Gneto që doli e treta në Olimpiadë dhe rusja Natalia Kuziutina. Këto dy garuese nuk kanë luftuar që nga Olimpiada, ndërsa vlerësohen ndër më të mirat në Evropë", ka thënë trajneri i xhudisteve kosovare, Driton Kuka, për Kohen Ditore.

"Për Majlindën rezultati nuk paraqet prioritet, por konfirmimi i formës para evropianit. Ndërkohë për Norën rezultati është i rëndësishëm. Nëse fiton medalje, ajo ka gjasa të jetë në mesin e bartësve në evropian. Për Majlindën tashmë dihet se është bartësja e parë", ka shtuar Kuka.

Turneu "Grand Prix" i Samsunit është i fundit për xhudistet kosovare para kampionatit evropian. Vendi i parë në Grand Prix siguron 300 pikë në renditjen botërore. Aktualisht Majlinda është e dyta në kategorinë deri 52 kg, ndërsa vendi i parë mund ta ngrejë në krye. Gjakova është e 30-ta në kategorinë 57 kg. /Telegrafi/ 

Exit mobile version