Telegrafi

Majko përplaset me Berishën: Patronazhistët e PD janë në Shën Pjetërburg

Deklarata e Edi Ramës në gazetën “Politico” se përballë sulmeve kibernetike të Iranit kishte menduar të aktivizonte një përgjigje kolektive të NATO-s duke kërkuar zbatimin e nenin 5 të traktatit të Aleancës, ngjalli debate në sallën e Kuvendit.

Sali Berisha rishprehu edhe një herë qëndrimin se dënon sulmin kibernetik, por ironizoi qëndrimin e Kryeministrit duke nënvizuar se këtë nen duhet ta aktivizonte edhe kur doli regjistri i patronazhistëve.

“Pandeli, pse nuk e aktivizuat artikullin pesë kur doli regjistri i patronazhistëve”, pyeti Berisha.

Majko nuk e la pa përgjigje Berishën duke e akuzuar se patronazhistët e PD-së janë në Rusi.

“Keni patronazhistët në St. Petersburg, ata ju kanë dhënë para dhe kjo histori nuk mund të kalojë me një audit partie”, u përgjigj Majko.

Por për Sali Berishën, kush e mbylli këtë çështje përpara drejtësisë ishte vetë Edi Rama.

“Po të lexosh vendimin e mbylljes e kupton se atë e ka bërë Edi Rama me mbajt peng Lulzim Bashën”, tha Berisha.

Për çështjen e financimeve ruse, vetë PD-ja ka ngritur një komision auditi të brendshëm, ndërsa lidershipi i ri është distancuar duke e cilësuar një përgjegjësi personale të ish-kryetarit Basha, ndaj të cilit ka kërkuar edhe rihapjen e hetimeve./A2 CNN