Telegrafi

Maja e katedrales së famshme franceze në zjarr

Maja e katedrales së famshme të Rouenit në Francë është në flakë, ka njoftuar kryebashkiaku i qytetit.

Imazhet e publikuara në rrjete sociale tregojnë flakët që dalin nga ajo që duket si skele pranë majës së ndërtesës, e cila është e njohur për shkak të tre kullave të saj që janë pjesë e arkitekturës qindravjeçare franceze.

Katedralja njihet gjerësisht pasi u pikturua disa herë nga piktori impresionist francez, Claude Monet, në shekullin e 19-të, shkruan skynews.

“Një zjarr ka filluar në majën e katedrales së Rouenit. Origjina e zjarrit e panjohur deri në këtë fazë. Të gjitha burimet publike janë mobilizuar”, tha kryetari i bashkisë, Nicolas Mayer-Rossignol.

 

Bëhet e ditur se katedralja është evakuuar, shërbimet e urgjencës janë në vendngjarje dhe transporti publik është ndërprerë.

Siç raportohet, zjarri ka filluar në një pjesë ku po zhvillohen punime.

Fatmirësisht, punëtorët që ngritën alarmin kur shpërtheu zjarri janë “të sigurt dhe të shëndoshë”.

Ndryshe, katedralja 151 metra e lartë, është një nga më të lartat në Evropë, dhe më e larta në Francë.

Katedralja daton nga shekulli i 12-të dhe është një nga vendet më të vizituara në Rouen dhe ishte ndërtesa më e lartë në botë deri në vitin 1880.

Është vendi ku dukat e Normandisë u kurorëzuan tradicionalisht. Brenda saj ndodhet një varr që përmban zemrën e Mbretit të Anglisë gjatë viteve 1189-1199, Richard I, i njohur si Richard the Lionheart. /Telegrafi/