Ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së, Bardhyl Mahmuti, ka reaguar pasi është publikuar një logo e LPK-së.
Në një shkrim në Facebook, Mahmuti tha se falsifikimi nuk mund të përligjet, pasi sipas tij, Lëvizja Popullore e Kosovës, themeluesja e UÇK-së, nuk kishte logo.
“Veprimtarët e moçëm e dinë fare mirë se logoja e LPK-së që figuron në panon e publicitetit për “30-vjetorin e UÇK-së” nuk është logo e asaj Lëvizjeje Popullore të Kosovë që ka themeluar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por logo e krijuar pas përfundimit të luftës nga Emrush Xhemaili, Gafurr Elshani, Ilaz Kadolli dhe veprimtarë të tjerë që deshën të garojnë si LPK, në zgjedhjet parlamentare dhe në ato për pushtet vendor në Kosovën e lire”, shkroi Mahmuti.
Sipas tij, të krijosh një logo për të plotësuar kushtet e vendosura nga Këshilli Qendror Zgjedhor, për të garuar për pushtet, ishte e drejtë e atyre ish-anëtarëve të LPK-së që deshën të kërkojnë besimin e qytetaëve të Kosovës.
“Mirëpo është fakt se të njëjtët ish-veprimtarë të LPK-së që krijuan subjektin politik të pasluftës, LPK-në, vendosën ta transformojnë në Parti Socialiste të Kosovës dhe, rrjedhimisht, pas këtij transformimi edhe logoja e LPK-së së krijuar enksa për zgjedhje u zëvendësua me logon e re të Partisë Socialiste të Kosovës”, tha më tej.
Ai shtoi se fati i Partisë Socialiste të Kosovës dihet: më 26 prill 2013, “ajo iu bashkua Lëvizjes Vetëvdendosje.
“Nëse askush nuk e ka kontestuar të drejtën e Emrush Xhemajlit, Gafurr Elshanit, Ilaz Kadollit dhe veprimtarëve të tjerë të krijojnë një logo për gara politike, është tërësisht e padrejtë të futet si kontrabandë logoja e tyre dhe të prezantohet si logo e asaj Lëvizjeje Popullore të Kosovës që themeloi Ushtrinë Çlirtimtare të Kosovës”.
Mahmuti theksoi se futja e kësaj logoje në rastin e 30-vjetorit të emërtimit të UÇK-së është përpjekje për të faklsifikuar historinë, në të njëjtën shkallë siç është falsifikim pretendimi i disave se gjoja në këtë datë është themeluar Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Sa i përket aspekteve të tjera, më gjërësisht kam sqaruar në librin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Në shënjestër të vazhdueshme””, shkroi Mahmuti./Telegrafi/