Telegrafi

Magjistralja M9 e aeroportit gati në fund të këtij muaji

Zëdhënësi i Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit (MTPT), Xhevdet Pozhari, i ka thënë se punimet në këtë rrugë zyrtarisht do të përfundojnë deri në fund të këtij muaji.

“Punimet janë duke vazhduar brenda afatit dhe dinamikës së paraparë. Ne shpresojmë se kushtet klimatike do të jenë në anën tonë dhe punimet në këtë magjistrale do të përfundojnë në kohën e paraparë”, ka theksuar ai.

Sipas tij, zgjerimi i rrugës Magjistrale Prishtinë – Pejë, që ndryshe njihet si magjistralja M9, ka qenë një prej projekteve më të rëndësishme, për realizimin e së cilës është punuar me një intensitet dhe seriozitet të lartë nga ana e Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.

"Këtë e dëshmon fakti se tashmë janë duke u zhvilluar edhe punimet në segmentin rrugor Sllatinë-Orllat-Gjurgjicë, që sa të ndërtohet e tëra kjo magjistrale aq e rëndësishme që të kompletohet rrjeti rrugor në Kosovë, sepse rrugët janë damarët e tokës që lidhin jetën e një populli", ka thënë ai.

Magjistralja M9 ka një gjatësi prej 8.2 kilometrash dhe projekti i ka përfshirë edhe 4 nënkalime, 4 ura të mëdha, gjatësia e të cilave arrin deri në 230 metra, secila me nga 4 korsi dhe me nënkalim. "Këto ura, që janë pjesë e autostradës Fushë-Kosovë – Sllatinë, janë ndërtuar me një teknologji, e cila është zbatuar për herë të parë në Kosovë, duke u bazuar në faktin se rruga Fushë-Kosovë – Sllatinë konsiderohet si portë hyrëse në vendin tonë, pasi kjo lidh kryeqendrën e vendit tonë me Aeroportin e Prishtinës. Ne kemi qenë të kujdesshëm që asgjë mos të kursejmë për ta ndërtuar këtë rrugë", ka deklaruar zëdhënësi Pozhari. Për segmentin Fushë-Kosovë – Sllatinë, Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit i ka ndarë 20 milionë euro, ndërsa për ndërtimin e 4 urave janë investuar 13 milionë euro. Kurse tani është duke u shtuar edhe segmenti Sllatinë-Orllat-Gjurgjicë, që njëkohësisht e shton numrin e kilometrave të kësaj autostrade, në 33.(Epoka e Re)