Site icon Telegrafi

Magjia e numrit 71, replika e Ramës: I kam që tani! (Video)

Çështja “Manjani” për socialistët pati një vlerë shtesë të martën, pasi prej shumë kohësh, mbledhja e Kryesisë nuk kishte pasur kaq vëmendje mediatike. Për 60 minuta, krerët e partisë kryesore të mazhorancës, megjithatë pak ose aspak folën për Manjanin, por vëmendja u përqëndrua te shefi i tij politik.

Ilir Meta hodhi insinuatën se, koalicioni i majtë pa LSI-në mund të dilte në opozitë. Pas mbledhjes së Kryesisë, socialistët e quajtën këtë një lojë taktike. Të parrezikshme, përsa kohë mbetej vetëm e tillë.

“Ato deklarata vetëm sa shpjeguan shumë qartësisht arsyet se, pse ai vendim që u mor për shkarkimin e zotit Manjani ishte i drejtë”, u shpreh zv.kryeministri Niko Peleshi.

Por ndërkohë, pas dyerve të mbyllura llogaritë janë bërë më shkoqur. Burime nga brenda mbledhjes së Kryesisë i thanë Top Channel se, për herë të parë kryeministri Rama ka folur hapur lidhur me situatën e krijuar në koalicion me partinë e Ilir Metës.

“LSI po luan taktikisht dhe është në të drejtën e saj ta bëjë këtë. Por pozicioni ynë, – citohet të ketë thënë kryeministri, – nuk ndryshon dhe ne nuk e kthejmë në një çështje taktike këtë partneritet strategjik. Natyrisht, LSI mund të vendosë të dalë vetëm, por kjo s’është arsye për t’u shpërqëndruar nga objektivi ynë”.

Por deklarimi më i rëndësishëm në mbledhjen e Kryesisë socialiste, i kryeministrit, duket të ketë qenë pikërisht mbi shifrën 71, në të cilën mbështeti argumentin e tij më herët Ilir Meta.

Sipas Edi Ramës, me votat e vitit 2013 dhe ndarjen aktuale të mandateve, “Partia Socialiste merr 69 deputetë po të jemi në koalicion me LSI, PDIU, FRD”. Por sipas Edi Ramës, “koalicioni merr 71 deputetë nëse LSI del veç, sepse e tillë është formula!”.

Sipas kryeministrit, aleanca me LSI-në krijon një mazhorancë solide reformash, jo thjesht një mazhorancë numrash.

“Reformat e jo numrat janë arsyet e koalicionit me Ilir Metën”, citohet të ketë thënë Edi Rama.

Një gjë që u përforcua nga Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, i cili ndryshe nga qeveria qendrore, nuk ndien asnjë lëkundje me partnerin strategjik në qeverisjen e kryeqytetit.

“PS i ka ndezur fitoret për një partneritet strategjik, ku sigurisht forca kryesore është Partia Socialiste. Është forca kryesore në pushtetin vendor, forca kryesore në Parlament, në Qeveri. Aleanca që kemi me Lëvizjen Socialiste për Integrim është një projekt strategjik. Besoj gjithmonë, si dikush që është investuar tek e majta, që ky është një projekt përtej një mandati”, u shpreh Veliaj. /Top Channel/

Exit mobile version