Peizazhet piktorekse, monumentet e kulturës dhe ujërat e kristalta, po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë vendas e të huaj drejt Shqipërisë gjatë këtij viti.
Një ndër monumentet më interesante sa i përket historisë së saj dhe pozicionit ku ndodhet, është edhe kalaja e Porto Palermos, në gjirin me të njëjtin emër në bregun e detit Jon.
Sapo kalon Himarën, përballesh me një panoramë të mrekullueshme të detit dhe në mes si një ishull i vogël duket vendi ku është ndërtuar kalaja e Porto Palermos.
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Vlorë bën të ditur për ATSH-në se “që prej muajit janar deri në mesin e qershorit kjo kala është vizituar nga 3 753 turistë, shumica e të cilëve janë të huaj”.
Sipas DRKK, Vlorë, 2908 nga këta vizitorë janë të huaj dhe 760 vendas, ndërsa gjatë stinës së verës pritet që numri i turistëve të rritet edhe më shumë.
Bukuria e kësaj kalaje, e ndërtuar rreth dy shekuj më parë, e tëra me konstruksion guri, është një prej më interesanteve për turistët dhe turizmin shqiptar.
Kalaja e Porto Palermos ndodhet mbi një ishull rreth 30 m larg bregut ku rripi i ngushtë ujor midis bregut dhe ishullit është mbushur me dhe e gurë për të realizuar një lidhje tokësore me të. Ajo është një nga sarajet e shumta të strategut Ali Pashë Tepelena, të cilat ai jo pa qëllim i ndërtonte në pika strategjike. Por kjo kala, qëndron në mes të detit dhe legjendës. U ndërtua nga Ali Pasha si një dhuratë për një nga gratë e tij, Vasiliqinë, të cilën, sipas kronikanëve të kohës, Pashai i Janinës e kishte shumë për zemër.
Bukuria dhe madhështia e kësaj kalaje ka zënë vend në shumë libra kushtuar Ali Pashës. Për të, ashtu si dhe shumë të tjerë, ka shkruar dhe Aleksandër Dyma, autori i “Konti Monte Kristos”.
Ajo ka fituar statusin “Monument Kulture “dhe është nën kujdesin e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Kështjella u ndërtua nën kujdesin e arkitektit Petro Përmetari dhe të një arkitekti italian. /Telegrafi/