Telegrafi

‘Magjia’ e Bernard Challandes, dy ndeshje radhazi Kosova nuk pëson gol

Ishim mësuar që ta nxjerrim topin nga rrjeta shumë shpesh, por në dy miqësoret e fundit, Kosova tregoi lojë të fortë në mbrojtje dhe mori dy fitore pa pësuar gola.

Kjo është fitorja e tretë në tri ndeshjet e fundit për Kosovën në ndeshjet miqësore.

Por që nga ardhja e Bernard Challandes, diçka ka ndryshuar edhe pse përbërja e lojtarëve është pothuajse e njëjtë.

Të shtunën fitore ndaj Madagaskarit, me rezultat 1-0, ndërsa tri ditë më vonë Kosova ka arritur ta mposhtë edhe Burkina Fason, me rezultat 2-0.

Challandes e nisi me fitore aventurën te Kosova

Golat e fitores për “Dardanët” i shënuan Vedat Muriqi, në minutën e 74-t dhe Leart Paqarada në fund të takimit nga gjuajtja e lirë.

Lexo po ashtu Challandes: Krenar me ekipin, fituam ndaj një kombëtareje të fortë

Që nga pranimi Kosovës nuk ia ka ndodhur asnjëherë që të mos pranojë gol në dy ndeshje radhazi.

Kosova para ndeshjes me Burkina Fason

Për Samir Ujkanin ishte kjo një risi, pasi as portierit vushtrrias nuk i ka ndodhur që dy ndeshje radhazi të mos pranojë gol. Ai kërkon nga mbrojtja që të vazhdojë të punojë.

“E rëndësishme ka qenë fitorja, që të vazhojmë  sot me serinë e fitoreve duke mos pranuar gol”.

Lexo po ashtu Dita e Kosovës në futboll - Dy fitore dhe një barazim brenda ditës

“Sot kemi qenë shumë mirë të organizuar, por duhet punuar ende në aspektin defanziv”.

Ujkani gjatë një stërvitje me Kosovën

“Jemi duke punuar në mbrojtje, pasi në sulm kemi kualitet. Duhet të punojmë në mbrojtje edhe më shumë, pasi një gol e shënojmë dikur”, ka thënë pas ndeshje Samir Ujkani.

Kosova të dy ndeshjet i zhvilloi në “Stade Municipal Jean Rolland” në Francoville, afër Parisit. /Telegrafi/