Liria është befasia më e këndshme e edicionit 2017/18 në elitën e futbollit kosovar.
Prizrenasit në krye me trajnerin Bledi Shkëmbi kanë ndërtuar një skuadër të frikshme e cila po është arrë e fortë për secilin kundërshtar në Superligë.
Falë ndeshjeve fantastike, Liria tani e sheh vetën në pozitën e tretë në tabelë me vetëm tri pikë më pak se lideri Drita.
Padyshim që meritat më të mëdha për këtë ecuri fantastike të Lirisë i ka edhe super sulmuesi i tyre, Artur Magani.
I ardhur nga Teuta e Durrësit, Magani ka arritur të shënoj 11 gola në këtë kampionat dhe mbanë epitetin e golashënuesit më të mirë në ligë.
Në një intervistë për Telegrafin, Arturi thotë se nuk e ka pasur të vështirë përshtatjen në kampionatin kosovar.
“Nuk e kam pasur të vështirë të përshtatem në kampionatin kosovar sepse mendoj që jam në një moshë që mund të përshtatem në cilindo kampionat”, thotë Magani.
E për golat e shënuar me fanellën e Lirisë, ai ndihet mirë pasi sipas tij sulmuesi matet me gola, por që nuk e ka objektiv të shpallet golashënuesi më i mirë në Kosovë.
“Kam shënuar 11 gola në kampionat dhe sigurisht se ndjehem mirë pasi sulmuesi gjithmonë vlerësohet me gola”.
“Mund të them se nuk e kam objektiv të jem golashënuesi në Kosovë. Do të mundohem të shënoj sa më shumë për ta ndihmuar skuadrën dhe në fund nëse do jem i pari golashënues ose i dyti nuk është ndonjë problem”, u shpreh Magani për Telegrafin.
Magani thotë se dallimi mes kampionatit kosovar dhe atij shqiptar janë terrenet.
“Dallimi kryesor mes dy kampionateve janë terrenet. Pasi në Shqipëri nuk ka shanse të shohësh një fushë si ajo e Flamurtarit”.
Liria e tij nuk ka qenë moti kohë më afër titullit të kampionit dhe sipas sulmuesit kryesor do të ishte mirë nëse do ta mbyllnin kampionatin me trofe.
“Do të ishte shumë mirë nëse do ta mbyllnim kampionatin me trofe, por duhet t’i marrim ndeshjet një nga një. I gjithë ekipi kemi objektiv vetëm ndeshjen e radhës pastaj të shohim”.
Përpos Arturit në kampionatin kosovar është edhe i ati i tij, Gugash Magani që drejton kampionin në fuqi Trepçën ’89.
Arturi nuk ka vënë ndonjë bast me babanë e tij se cili do të përfundoj më lartë në tabelë, por beson se Liria e tij do të jetë më lartë.
“Nuk kam vënë ndonjë bast me babanë por e vetmja që mund të them është se kam mësuar nga ai shumë dhe që është fat i madh që Trepça ’89 e ka trajner”.
“Mendoj që në fund Liria do të jetë më lart por të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka përfunduar Magani.
Në ndeshjen e radhës Liria do të luaj si vendas me Besën në Prizren. /Telegrafi/