Telegrafi

Magani: Luajtëm ndeshje të dobët, Prishtina e meritoi fitoren

Kampioni në fuqi i Kosovës, Trepça ’89 nuk ka arritur të marrë pikë nga udhëtimi në Pejë përballë Prishtinës.

‘Minatorët’ u mposhtën lehtësisht 2-0 nga Prishtina dhe nuk treguan atë që pritej në fushë.

E sipas trajnerit Gugash Magani, Prishtina e meritoi fitoren pasi skuadra e tij nuk ka treguar kapacitetin që ka.

“Në fakt ne kemi treguar ndeshje të dobët në fushë, kjo ishte ndeshja më e dobët që nga ardhja ime, unë mendoj se skuadra e mbivlerësoi kundërshtarin. Prishtina e meritoi fitoren, ne nuk kemi treguar kapacitetin tonë si skuadër”.

“Sa i përket kartonit të kuq unë nuk e kam rolin e ekspertit, po ashtu as për penalltinë e cila në qoftë se do të ishte akorduar do ta ndryshonte rrjedhën e lojës”, tha Magani pas ndeshjes.

Tutje trajneri nga Shqipëria deklaroi se do ta analizojnë këtë takim ndërsa nuk do të dorëzohen për titull.

“Do të analizojmë çdo gjë që bëmë në këtë ndeshje. Do ta hedhim pas krahëve dhe do të vazhdojmë më tej, çunat duhet ta kuptojnë se janë kampion në fuqi dhe duhet të tregojnë personalitet në fushë”.

“Skuadra nuk funksionoi si skuadër, nëse nuk funksionon atëherë nuk pritet paraqitje e mirë. Shpresa vdes e fundit dhe ne do të vazhdojmë, kjo ishte një hap prapa, por ne ende do të luftojmë”, u shpreh Magani. /Telegrafi/