John Edward Alite, i njohur si “Johnny Alletto”, është gangsteri i famshëm shqiptar që ishte ngjitur në rangjet më të larta të mafies italiane, Cosa Nostra. Ai ishte dora e djathtë e John Gottit të ri dhe roja i tij personale, por kishte punuar edhe për John Gottiin e vjetër.
Alite, me prejardhje nga Gjirokastra, për shumë vjet ishte pjesë e botës së krimit, derisa më pas u zu nga Policia dhe përfundoi në një burg famëkeq në Brazil.
Ai kishte kuptuar se ish-bosët e tij po e shisnin te forcat e rendit, ndaj vendosi t’ua kthejë me të njëjtën monedhë.
Johni, fal bashkëpunimit me organet gjyqësore sot është i lirë.
Në intervistën e tij të parë mediat shqiptare – me Kushtrim Sadikun në Klan Kosova – ish-gangsteri ka folur edhe për atë se e ka dallime ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë.
“Kjo nuk më pëlqen aspak dhe ky dallim për mua është qesharak. Unë besoj se nëse ti je shqiptar, atëherë je shqiptar. Gjaku yt është shqiptar dhe të respektoj për këtë. Edhe njerëzve përpiqem t’ua them këtë kur flas me ta, qofshin këtu, apo atje. Unë kam shumë miq në Kosovë dhe në anën tjetër në Tiranë e Gjirokastër, për mua s’ka ndonjë dallim. Shpresoj se as të tjerët nuk bëjnë këso dallimesh. Ne jemi një komb. Duhet të respektohemi e duhemi mes vete dhe të mos i bëjmë më keq njëri-tjetrit. Po them atë që u them edhe fëmijëve në fjalime: rrini larg telasheve”, ka thënë ai.
Ish-gangsteri ka folur edhe për dallimin mes bandave në Amerikë. Ai ka treguar se si shqiptarët janë ndryshe nga italianët e rusët.
“Një gjë që nuk e mësuam kurrë nga italianët është se italianët nuk janë edhe aq agresivë. Ata manovrojnë duke përdorur trurin e tyre, më shumë sesa muskujt. Loja është e ndërtuar në atë mënyrë që sa më i dhunshëm që je, vëmendja drejt teje është më e madhe dhe ideja e të bërit shumë shpejtë para është afatshkurtër”, thotë Alite. “Shqiptarët fatkeqësisht ende janë më të njohur për bolet e tyre sesa për trurin. Dhe, guximin e përdorin për dhunë. Shqiptarët fitojnë para, sepse janë të dhunshëm dhe e fusin veten në biznesin e drogës e biznese të ngjashme”.
Rusët ai thotë se merren me gjëra të tjera, me krime me para, me sigurime, stoqe, me mashtrime bankare.
“Rusët duket se e përdorin trurin më shumë se ne në aktivitetet kriminale. Nuk është ajo që të gjithë besojnë në gjërat si KGB-ja e vjetër e stili i tillë i gangsterëve”, thotë ai. “Shqiptarët njihen për dhunën e tyre dhe normalisht dhuna sjellë frikën. Dallimi i vetëm është se shqiptarët ende nuk e kanë kapacitetin të jenë më të organizuar si disa nga grupet tjera. Por, kur njerëzit ua kanë frikën, ju do të jeni në gjendje të kontrolloni shumë gjëra. Një gjë është e sigurt: kur shqiptarët thonë se do të bëjnë diçka ata zakonisht e bëjnë; nëse të thonë se do të vrasin, ata të vrasin; nëse të thonë se do të lëndojnë keq, ata e bëjnë. Janë shumë agresivë, e kemi në kulturë”. /Klan Kosova/