Bosi i mafisë së Italisë, i cili u arrestua këtë javë raportohet se është “i sëmurë rëndë dhe gjendja shëndetësore po i përkeqësohet shumë shpejt”, kanë pohuar mjekët.
Matteo Messina Denaro, 60 vjeç, i njohur më mirë si “Djalli”, u arrestua nga policët në Sicili të martën ndërsa po trajtohej për kancerin.
Telefonatat e përgjuara nga të afërmit e mafiozit italian thuhet se zbuluan se po merrte trajtim për kancerin e zorrës së trashë, raporton thesun.
Denaro, një vrasës i dënuar që dikur mburrej se kishte vrarë mjaft njerëz “sa për të mbushur një varrezë”, kishte qenë në arrati për 30 vjet.
Por, ai më në fund u arrestua këtë javë pasi u detyrua të kërkonte trajtim për kancerin, sipas mjekëve.
“Ai është i sëmurë rëndë. Sëmundja i është përshpejtuar muajt e fundit”, tha për gazetën italiane La Repubblica, Vittorio Gebbia, kreu i departamentit të onkologjisë në klinikën Maddalena në Palermo, ku u arrestua Denaro.
Ish-kreu i mafies së frikshme siciliane, Cosa Nostra, iu nënshtrua një operacioni për kancer të zorrës së trashë në vitin 2020 me një emër të rremë, sipas të dhënave mjekësore të zbuluara në mediat italiane.
Policët zbuluan përmes përgjimit të telefonave të të afërmve të tij se “Doni” i moshuar ishte i sëmurë. Më pas ata kërkuan në të gjithë shtetin të dyshuarit e mundshëm me sëmundjen e kancerit, të cilët ishin në moshë.
Pas arrestimit, Denaro u transferua me shpejtësi në burgun e sigurisë së lartë në L’Aquila, në Italinë qendrore, ku po mbahet në izolim.
Ai pritej të nis trajtimin me kimioterapi në spitalin San Salvatore të L’Aquila, i cili ka një njësi speciale për trajtimin e të burgosurve me rrezik të lartë.
Ai mendohet se ka gëzuar mbrojtjen e disa figurave kyçe lokale për disa kohë ndërsa ishte fshehur.
Ekspertët thonë se nuk është e pazakontë që bosët e mafias të qëndrojnë pranë bazës së tyre të pushtetit pas arratisjes.
Bosi më i kërkuar i krimit i Italisë iu shmang me sukses kapjes për 30 vjet duke ikur pas një fushate brutale terrori që drejtoi në të gjithë vendin.
Cosa Nostra dikur ishte organizata më e fuqishme mafioze e Italisë, me një perandori kriminale që shtrihej përtej Atlantikut deri në Amerikë. /Telegrafi/