Site icon Telegrafi

Maduro tregon fuqinë e tij, nis “stërvitjet më të mëdha ushtarake në historinë e Venezuelës” (Video)

Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro ka nisur atë që ai pretendon të jenë stërvitjet më të mëdha ushtarake në historinë e vendit.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Maduro po përballet me një betejë për të ruajtur pushtetin pasi kreu i opozitës Juan Guaido u njoh nga 50 vende si president i përkohshëm.

Por udhëheqësi 56-vjeçar këmbënguli që “duhet të përgatitet për të mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë” kur ai filloi një tjetër raund stërvitjesh ushtarake në Fort Guaicaipuro në Miranda State.

Sipas mediave, Maduro postoi një sërë fotosh në Twitter duke treguar turma të mëdha njerëzish në pajisje ushtarake dhe tanke që lëviznin në terren me pluhur.

Ai gjithashtu shihej të kontrollonte armët përpara ushtarëve që brohorisnin.

Ushtria e Venezuelës njoftoi se kishte filluar kryerjen e stërvitjeve për ‘përforcimin e kapacitetit mbrojtës të vendit’.

Po sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Maduro tha se stërvitjet – që do të vazhdojnë deri më 15 shkurt – ishin ‘më të rëndësishmet’ në historinë e vendit dhe do të jenë më të mëdhatë që janë mbajtur ndonjëherë.

“Ne duhet të përgatitemi për të mbrojtur sovranitetin [e Venezuelës], integritetin territorial, pavarësinë”, tha ai.

Po të njëjtën ditë, kreu i opozitës Juan Guaido, i njohur nga 50 vende si presidenti i përkohshëm i Venezuelës, paralajmëroi ushtrinë se bllokimi i ndihmës humanitare nga hyrja në vend ishte një “krim kundër njerëzimit”. /Telegrafi/

Exit mobile version