Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro ka fituar edhe një tjetër mandat gjashtëvjeçar në këtë pozitë, ndonëse procesi zgjedhor është përcjellë me bojkot të opozitës dhe pretendime për manipulim të votave.
Në votime kanë dalë 46 për qind të banorëve, derisa ky proces është zhvilluar në periudhën e krizës së rëndë ekonomike.
Kandidati kryesor opozitar, Henri Falcon ka kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve pas mbylljes së kutive të votimit.
“Ne nuk e konsiderojmë të vlefshëm këtë proces zgjedhor, na duhet të mbajmë zgjedhje tjera në Venezuelë”, ka thënë ai.
Shefja e Këshillit Kombëtar Zgjedhor, Tibisay Lucena, ka thënë se pas numërimit të më shumë se 90 për qind të votave, Maduro ka fituar 67.7 për qind apo 5.8 milionë vota dhe Falcon ka fituar 21.2 për qind apo 1.8 milion vota.
”Ata më kanë nënvlerësuar”, ka thënë Maduro para mbështetësve të tij jashtë pallatit presidencial në Karakas.
Zyrtarët qeveritarë kanë thënë së zgjedhjet kanë qenë “të lira dhe të drejta”, mirëpo shumica e opozitës ka bojkotuar rezultatin.
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka thënë se nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve.
Përmes një postimi në Twitter, misioni amerikan në Kombet e Bashkuara e ka cilësuar procesin si “fyerje ndaj demokracisë”. /Rel/