Site icon Telegrafi

Madridi: Puigdemont nuk do të ketë asnjë pushtet të shtunën

Presidenti separatist i Katalonjës, Carles Puigdemont nuk do të ketë më asnjë pushtet të shtunën, pasi Senati të autorizojë pezullimin e autonomisë së këtij rajoni, deklaroi sot zëvendëspresidentja e qeverisë spanjolle.

“Presidenti i Generalitat (ekzekutivi katalanas), nuk do të ushtrojë më funksionet pasi të publikohet kjo marrëveshje”, deklaroi Soraya Saenz de Santamaria për radion spanjolle “Onda Cero”.

Megjithatë zëvendëspresidenti nuk ka theksuar se çfarë masash konkrete do të marrë qeveria nëse Carles Puigdemont, 54 vjeç, ish-gazetar dhe drejtues i Katalonjës që prej vitit 2016 nuk i bindet urdhrave të Madridit.

Qeveria konservatore e Mariano Rajoy ka njoftuar se do t’i kërkojë të shtunën Senatit aplikimin e nenit 155 të Kushtetutës për të autorizuar marrjen e kontrollit të ekzekutivit katalanas, të policisë rajonale dhe të Parlamentit katalanas, duke synuar organizimin e zgjedhjeve rajonale në fillim të vitit 2018.

Vendimi i Rajoy erdhi në çastin kur indipendentistët kërcënojnë të shpallin në mënyrë të njëanshme pavarësinë e Katalonjës, rajon ku jetojnë 16 për qind e spanjollëve.

Kjo është kriza më e rëndë politike për Spanjën që kur ajo hyri në demokraci në vitin 1977 pas rrëzimit të regjitmit të Francisco Franco.

Exit mobile version