Telegrafi

Madagaskari prodhon “ilaçin popullor” kundër coronavirusit, të varfërve u jepet falas – presidenti po e promovon edhe pse nuk ka ndonjë dëshmi për efikasitetin e tij

Afrika është bërë me ilaçin e saj të parë kundër coronavirusit, kështu të paktën pretendon presidenti i Madagaskarit, Andry Rajoelina, i cili tha se një pije e prodhuar me bimë të ndryshme dhe i përzier me ilaçin kundër malaries, pritet të shërojë të sëmurët. Ai do t’i jepet edhe të tjerëve si masë preventive.

Presidenti i Madagaskarit, Anndry Rojelina ka promovuar ilaçin COVID-Organics në televizionin shtetëror,  me pretendimet se kjo pije e prodhuar në ishull do të “ndryshojë historinë” dhe që është më e rëndësishme të varfërve dhe fëmijëve do t’i jepet falas, transmeton Telegrafi.

Qytetarët tjerë do të detyrohen ta paguajnë 30 centë për një shishe të vogël të plastikës, apo 80 cent për një më të madhe që  i ka një litër. Ky ilaç është prodhuar në Institutin për hulumtime që prej më shumë s e 30 vite praktikon barna tradicionale në Madagaskar.

Kjo pije me bimë natyrore nuk është testuar shkencëtarisht dhe nuk ka ndonjë dëshmi që reagon kundër COVID-19. Por, presidenti i këtij vendit me pompozitet po e promovon.

“Ajo çfarë duam të bëjmë është të popullarizojmë sa më shumë pijen tonë me qëllim të mbrojmë qytetarët tanë”, ka deklaruar Rojelina derisa po pinte një shishe të këtij “ilaçi” që do të shitet edhe nëpër filtra të vogël të çajit me një çmim prej 2.6 dollarë për 14 copë.

Një grup i zyrtarëve të Madagaskarit janë kundër këtij ilaçi, sepse siç pretendojnë nuk është dëshmuar asgjë me të, dhe për këtë arsye shumë fëmijë që e kanë marrë nëpër shkolla ku është shpërndarë falas, kanë hezituar ta pinë.

Kujtojmë që Madagaskari, ky shtet ishull në Oqeanin Indian, ka 26 milionë banorë dhe deri më tani ka të konfirmuar 128 raste me COVID-19. Por ajo çfarë është më e rëndësishme se deri më tani askush nuk e ka humbur jetën.

Mediat amerikane të cilat kanë raportuar për këtë ngjarje me sugjerim të zyrtarëve kompetentë të shëndetësisë, kanë bërë thirrje të mos përdoret kurrfarë ilaçi popullor apo ndonjë lloj çaji që nuk ka dëshmuar diçka pozitive, sepse mund të shkaktojnë probleme shëndetësore. /Telegrafi/