Mbështetja për demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik dhe ushtarak, janë tri pika kyçe të “paketës” me të cilën presidenti francez Emanuel Macron do të shkojë në Beograd më 16 korrik.
Kështu, së paku shkruajnë mediat serbe, sipas të cilave, se nuk është një politikan i cili ka vija të kuqe kur është fjala për zgjidhjen e nyjës së Kosovës, Macron e ka demonstruar edhe në samitin e Berlinit.
Po sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, gjatë këtij samiti, ai hapur dhe fuqishëm ka qëndruar përballë kancelares gjermane, Angela Merkel.
Madje, siç shtohet tutje, Macron ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj heqjen e taksës në mënyrë që të bëjë një kompromis dhe hap rrugën për rifillimin e dialogut.
Por bashkëbiseduesi në anën tjetër, shkruajnë mediat serbe, me këmbëngulje kërkoi që Berlini dhe Parisi të bëjnë presion mbi Serbinë për ta njohur pavarësinë e Kosovës dhe liberalizimin e vizave.
“Ju nuk jeni në pozicion për të kërkuar, çfarëdo qoftë. Ja, unë po ju them, nga Franca ju nuk do të merrni ndonjë gjë”, citohet të ketë thënë Macron, në bazë të dy njerëzve të Macron, të cilët thuhet se dëshmuan një takim të presidentit francez dhe Haradinajt në Berlin.
Veç këtyre theksohet se Macron dhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçiq, kanë theksuar në mënyrë të përsëritur se ka hapësirë të madhe për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik.
Ndër projektet e mëdha që do të diskutohen në Beograd është ndërtimi i metrosë së Beogradit, për të cilin francezët janë shumë të interesuar. Përveç kësaj, temë diskutimi do të jetë edhe blerja e armëve.
Para vizitës së tij në Beograd, Macron do të takohet me presidentin e Serbisë dhe në Paris, ku do të mbahet raundi i dytë i samitit. Kancelarja gjermane Merkel do të marrë pjesë në këtë ngjarje gjithashtu, si dhe Haradinaj dhe Hashim Thaçi. /Telegrafi/