Site icon Telegrafi

Macron i bën thirrje SHBA-së që të bëjë presion ndaj Izraelit për të pranuar planin e armëpushimit në Liban

Presidenti francez Emmanuel Macron të enjten u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të bëjnë presion ndaj Izraelit për të pranuar një plan për një armëpushim 21-ditor në Liban, duke thënë se një pushtim izraelit do të ishte një gabim i madh.

Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, më herët kishte refuzuar një propozim marrëveshje franceze-SHBA për një armëpushim 21-ditor.

Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se kishte urdhëruar ushtrinë të vazhdonte të luftonte me forcë të plotë, transmeton Telegrafi.

Macron, duke folur në anglisht, i tha Korporatës Kanadeze të Transmetimeve se kishte ende kohë që Netanyahu të angazhohej për planin.

“Unë besoj se SHBA-të tani duhet të rrisin presionin ndaj kryeministrit të Izraelit për ta bërë këtë,” tha ai.

Nëse Netanyahu thoshte jo, tha Macron, Franca do ta ngrinte çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Presim që të gjithë partnerët të jenë shumë të zëshëm dhe të përkushtuar me ne për të dërguar këtë mesazh të qartë: Izraeli nuk mund të pushtojë Libanin sot. Lufta nuk është e mundur sot në Liban; do të ishte një gabim i madh, një rrezik i madh përshkallëzimi”, tha ai.

Macron tha më herët në një konferencë shtypi në Montreal se ai nuk mendonte se komentet e zyrtarëve izraelitë mbi idenë e armëpushimit ishin përfundimtare.

Ai tha gjithashtu se Franca ishte kundër shndërrimit të Libanit në një Gazë të re, duke i bërë thirrje Izraelit të ndalonte sulmet e tij dhe Hezbollahut të ndalonte hakmarrjen. /Telegrafi/

Exit mobile version