Telegrafi

“Ma vranë djalin për një gërvishtje makine, nuk e lëmë pa marrë gjakun”

Ismail Lilaj rrëfen për Gazetën Shqiptare se nëse shteti nuk reagon siç duhet për vrasjen e djalit të tij, atëherë atij dhe djemve të tjerë do u duhet që të marrin hak tek vrasësi për vdekjen e Erjonit.

Për Ismailin nuk është aspak e lehtë që të thotë këto fjalë, duke menduar se nuk kanë kaluar shumë orë nga vdekja e djalit të tij.

Me lot në sy, babai i katër fëmijëve rrëfen për GSH momentin e dhimbshëm kur i thanë për djalin e tij, të cilin jo vetëm që e kishin goditur me thikë, por edhe me levë mbrapa kokës.

“Jemi të shkrumbuar fare. Më mirë të më kishte rënë një bombë, sesa më ndodhi kjo gjëmë me djalin”.

Familjarët e Erjonit kërkojnë vetëm drejtësi nga shteti shqiptar, duke pritur edhe arrestimin e autorit të ngjarjes. Ndërkohë, policia ka vënë në pranga 52-vjeçarin Sherif Lata dhe djalin e tij, 27-vjeçarin Besard Lata. Burime nga policia bëjnë me dije se po punojnë për arrestimin e autorit të tretë të kësaj ngjarjeje, 23-vjeçarit Sebastian Lata.

22-vjeçari Erjon Lilaj humbi jetën dy ditë më parë në Spitalin Ushtarak, për shkak të plagëve të marra nga goditjet me thikë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00 të ditës së enjte.

“E mora vesh, sepse djalin ma vranë para shtëpisë. Djali ishte konfliktuar me babanë e dy djemve të rinj”, thotë babai i Erjonit. “Gjithçka ka nisur për një gërvishtje makinash. Nuk arrij ende ta kuptoj se si ka mundësi që në këtë vit që jetojmë, në këtë shekull të ri, në 100-vjetorin e Pavarësisë, një burrë i moshuar, bashkë me djemtë e tij arrin të vrasë një djalë të ri me thikë, për një gërvishtje makine. Ne mendojmë se ata e kanë planifikuar vrasjen e djalit tim, përderisa kanë marrë të tre thikat dhe kanë shkuar të vrasin djalin tim”. /Telegrafi/