Telegrafi

“Ma bëri dhuratë Golf 2-shin”, Faruk Statovci tregon se si u befasua nga presidenti i ndjerë i Dritës, Selami Osmani

Faruk Statovci ka qenë mysafiri i radhës në Podcastin e Telegrafi Sport.

Ish-futbollisti i njohur kosovar dhe tanimë në rolin e trajnerit dhe analistit të futbollit ka folur për shumë gjëra rreth karrierës së tij.

Statovci ka treguar një histori të rrallë, ku sa ishte pjesë e klubit gjilanas FC Drita, ish-presidenti i ndjerë tanimë i bardhekaltërve, Selami Osmani – Bezi i kishte bërë një dhuratë të madhe.

‘Bezi’ i kishte dhënë dhuratë një makinë të tipit ‘Golf 2’ që në atë kohë kushtonte shumë.

“Ishim duke ndenjur pas drekës me bashkëlojtarët te restauruani i tij dhe duke biseduar tanimë presidenti i ndjerë më pyeti pse nuk kam makinë. I tregova që nuk kam pasur mundësi ta blej një të tillë”.

“Ai menjëherë më tha, të shtunën është tregu i makinave në Gjilan dhe e merr babanë për ta marrë një veturë. Më vinte shumë keq pasi paguhesha mirë, por kur shkova të shtunën mi dha çelësat e makinës të tipit Golf 2 dhe më tha: Urime, e gëzofsh”, kujton Statovci.

Tutje ish-futbollisti i shumë skuadrave kosovare tregon se te Drita ia kishin blerë edhe telefonin e parë me ish-presidentin tjetër të gjilanasve Sadat Pajaziti i cili i kishte ndihmuar edhe për lejen e makinës. /Telegrafi/