Telegrafi

“Ma bënte me sy dhe më dërgonte puthje”, deputetja e OBRM-PDUKM-së me akuza për Mariçiq – reagon zv.kryeministri

Reagim i ashpër i zëvendëskoordinatores së OBRM-PDUKM-së Dafina Stojanovska në pyetjet e deputetëve. Ajo e akuzoi zëvendëskryeministrin për çështje europiane se i ka dërguar puthje dhe ia ka bërë me sy derisa po fliste ajo, edhe pse kamerat e Kuvendit nuk e kanë transmetuar këtë.

“Ju duhet të heshtni euro, zëvendëskryeministër për çështje europiane, se ju jeni më i forti nga selia. Në mikrofon të dalësh dhe të thuash atë që po e flet pas mikrofonit. Si nuk të vjen turp, si nuk të vjen turp, le t’ju kapin kamerat zv/kryeministër për çështje europiane. Tmerr, tmerr je. Andaj…le të të fotografojnë duke dërguar puthje, qurravec…”, tha Dafina Stojanovska.

Ky reagim vjen pas pyetjeve të deputetëve të Petar Risteskit, i cili i pari kërkoi përgjigje për skandalin në Klinikën e Onkologjisë.

Pas akuzave të Stojanovskës ka reaguar edhe Mariçiq, i cili mohoi t’i ketë dërguar puthje dhe t’ia ketë bërë me sy deputetes Dafina Stojanovska.

Mariçiq thotë se deputetja e OBRM-PDUKM-së po e bën këtë për pikë politike.

“I mohoj fuqishëm gënjeshtrat e padenja dhe të ulëta të deputetes Dafina Stojanoska. Nuk kam pasur asnjë komunikim me deputeten dhe as nuk i kam dërguar ndonjë mesazh verbal apo gjestikulacion. Asgjë nga kjo. Dafina Stojanoska sot turpëroi të gjithë deputetët, gjithë Kuvendin e mbi të gjitha partinë e saj. Mirëpo, turpin më të madh i solli vetes. Qytetarët e Maqedonisë meritojnë sjellje të denjë nga të zgjedhurit e tyre, jo lëvizje të turpshme për manipulime të lira partiake. Dinjiteti i Kuvendit të Maqedonisë është shumë më i rëndësishëm se interesat personale dhe partiake të Dafina Stojanoskës dhe nervozizmi dhe mungesës së idesë që mbretëron në kampin e saj”, ka thënë Mariçiq.