Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar të mërkurën se Kosova ka normën më të ulët të inflacionit në rajon me vetëm 2.8 për qind.
Këtë deklarim e ka bërë duke cituar të dhënat e Tranding Economics, ku thuhet se norma vjetore e inflacionit në Kosovë në muajin e gjashtë (qershor) 2023 ka rënë në 2.8 për qind nga 4.3 për qind.
“Norma vjetore e inflacionit në Kosovë në muajin e gjashtë (qershor) 2023 ka rënë në 2.8% nga 4.3% sa ishte evidentuar në muajin e pestë (maj) 2023, duke shënuar kështu normën më të ulët të inflacionit prej muajit qershor 2021, thotë matja e Trading Economics”, thuhet në postimin e LVV-së në Facebook.
Sipas matjeve të Trading Economics, në Kosovë kategoria më e rëndësishme në indeksin e çmimeve të konsumit është ushqimet dhe pijet joalkoolike (40 për qind e peshës totale).
“Transporti zë 16 për qind; Mobilje, Pajisje shtëpiake dhe Mirëmbajtje për 8 për qind; Banesat dhe Shërbimet komunale për 7 për qind; dhe Pijet Alkoolike dhe Duhani për 6 për qind. Veshje dhe Këpucë; Komunikimi; Rekreacion dhe Kulturë; Restorante; Hotele; Shëndeti; Arsimi; dhe Mallrat dhe Shërbimet e ndryshme përbëjnë 24 për qind të peshës së përgjithshme”, thuhet tutje. /Telegrafi/