Telegrafi

LVV po pret Kushtetuesen për kandidatin për kryeministër, AAK thotë se për Haradinajn vendosin pas zgjedhjeve

Fundi i janarit apo fillimi i shkurtit janë afatet kur pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Pavarësisht kësaj, LVV, LDK e AAK nuk i kanë bërë të ditur kandidatët për kryeministër.

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka thënë se shumë shpejt pritet të mblidhet partia dhe do të diskutojë për këto çështje.

“Së shpejti do të mblidhet Kryesia e AAK-së sepse nuk kemi shumë kohë. Bartës i listës normalisht se do të jetë Ramush Haradinaj, pastaj se a do të kandidojë për kryeministër apo për president mbetet të shihet pas zgjedhjeve”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Bekë Berisha.

Edhe LDK-ja 2është pa një kandidatë për kryeministër, por nga kjo parti thonë se shumë shpejt do të vendoset edhe për këtë çështje.

“Nuk e kemi diskutua, kryeministri Hoti po bënë një punë të mirë e ka marrë qeverisjen në një kohë të vështirë. Shpesh herë është akuzua për formën si e ka marrë qeverisjen, por ka qenë një vendim i Gjykatës Kushtetuese ashtu si na tregojë tani Kushtetuesja, por punën e ka bërë shumë të mirë”, thotë Abrashi.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes Përparim Kryeziu thotë se po presin vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese e më pas do të diskutojnë për emrin e kandidatit për kryeministër.

“Pavarësisht bindjes sonë që aktgjykimi i Kushtetueses nuk ka asnjë ndalesë për zotin Kurti dhe zonjën Haxhiu që të garojnë në zgjedhje dhe rrjedhimisht që zoti Kurti të jetë kryeministër i Kosovës, ne kemi vendosur të presim aktgjykimin e plotë dhe të analizojmë atë dhe mbi atë bazë të merren vendimet e radhës”, tha Përparim Kryeziu.

Deri më tani vetëm Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që Enver Hoxhaj do të jetë kandidati i tyre për kryeministër./Telegrafi/