Site icon Telegrafi

LVV-ja në Prizren përkrah projektin për lehtësimin e trafikut në “Bazhdarhane”

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren ka shprehur mbështetjen për zbatimin e projektit “Krijimi i hapësirave për lëvizshmërinë e trafikut dhe këmbësorëve” të Komunës së Prizrenit, që do të realizohet pas rrënimit të ndërtesës së ish-ndërmarrjes “Liria” në Bazhdarhane të Prizrenit.

Ky subjekt politik ka shprehur mirënjohje për kontributin e Ekzekutivit qendror për mundësimin e shpronësimit të kësaj ndërtese dhe rrënimin e saj, për lehtësimin e trafikut rrugor brenda qytetit, raporton Telegrafi.

“Lëvizja Vetëvendosje Qendra në Prizren e mbështet secilin projekt që realizohet për dhe në interes të qytetarëve të komunës së Prizrenit, dhe njëkohësisht falënderon Qeverinë e Republikës së Kosovës për kontributin e saj në shpronësimin e objektit dhe mundësinë për rrënimin e këtij objekti – rrënimi i të cilit do të krijoj hapësira për lëvizshmërinë e trafikut dhe këmbësorëve”, thuhet në njoftimin e kësaj qendre.

Në të njëjtën kohë, nga autoritetet komunale është kërkuar që të bashkëpunojnë me Qeverinë e Kosovës.

“Lëvizja Vetëvendosje Qendra në Prizren i bënë thirrje Kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj që të vazhdojë bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës për realizimin e projekteve në të mirë të komunës dhe qytetarëve të Prizrenit”, thuhet në njoftim.

Paraprakisht ky subjekt politik, që në nivel komunal është në opozitë, ka përkujtuar se në mbledhjen e 182-të Qeverisë së Republikës së Kosovës ishte miratuar inicimi i procedurës për fillimin e procedurave të shpronësimit të pronës së paluajtshme – ndërtesa e i ish-Ndërmarrjes Shoqërore “Liria” në Prizren.

“Shpronësimi ka pasur si qëllim implementimin e Projektit “Krijimi i hapësirave për lëvizshmërinë e trafikut dhe këmbësorëve”, në të njëjtën kohë duke përfshirë zgjerimin e rrugës ekzistuese sipas Hartës Zonale për Qytetin e Prizrenit”, thuhet në njoftim.

Komuna e Prizrenit, të martën, ka njoftuar se kjo ndërtesë do të rrënohet në fillim të muajit tetor. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version