Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren ka akuzuar kryetarin e Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj për mos aplikim në projektin e iniciuar nga MMPHI-ja për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm.
Sipas LVV-së opozitare, një gjë e tillë është bërë për shkak të inateve politike të nivelit lokal me qeverinë qendrore, raporton Telegrafi.
“Më 29 nëntor 2024, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Republikës së Kosovës ka hapur tenderin për realizimin e projektit madhor “Ndërtimi i Objekteve për Banim të Përballueshëm” i cili synon të ndihmojë qytetarët me strehim të përballueshëm dhe standarde më të larta jetese. Ky projekt është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e komunave dhe përmirësimin e mirëqenies sociale. Por, fatkeqësisht, Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, si gjithmonë për inate politike ndaj suksesit të qeverisë, nuk ka aplikuar për ta përfshirë Prizrenin në këtë projekt madhor”, thuhet në reagimin e Qendrës së LVV-së në Prizren.
Aty theksohet se në këtë mënyrë qytetarët e Prizrenit privohen nga dobitë e këtij investimi.
“Kjo do të thotë se qytetarët e Prizrenit, që meritojnë të përfitojnë nga ky investim, janë lënë jashtë kësaj mundësie të rëndësishme”, thuhet në reagim.
Në anën tjetër kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj në paraqitjet e ndryshme publike pat shprehur pakënaqësinë me qasjen e Qeverisë qendrore ndaj nivelit lokal, duke theksuar se nuk ka bashkëpunim të duhur, korrektësi e transparencë, për më shumë as ndjeshmëri për nevojat imediate të komunave, raporton Telegrafi.
Një ditë më parë autoritetet komunale të Prizrenit kanë vizituar banesat sociale në lagjen Petrovë, për të parë finalizimin e punimeve në Kullën III, sikurse edhe nisjen e punimeve për renovimin e tërësishëm të Kullës IV, ku në total 60 banesa do të ofrohen për disa kategori, përfshirë familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe rastet sociale. /Telegrafi/