Kapiteni u largua, anija mori tatëpjetën. Nga skuadra me formën më të mirë në Ligën Ballkanike me katër fitore rresht, Peja pësoi pesë humbje rresht në fazën më të rëndësishme të kësaj gare nën drejtimin e Boban Savoviq.
Gjithsesi, Danijel Lutz nuk fajëson këtë të fundit për dështimin e skuadrës. Ish-trajneri i pejanëve theksoi se në formën e dobët të ‘verdhezinjve’ ka mundur të ndikojë edhe orari jo i mirë. Përkundër faktit se pejanët nuk arritën të hynë në fazën finale të garave në Ligën Ballkanike, Lutz theksoi se Peja ka një skuadër të aftë për të garuar me më të mirët.
Ai mohon të jetë kontaktuar nga krerët e Sigal Prishtinës pas largimit nga Peja, teksa për të ardhmen thotë se do të vendos më vonë. Një rikthim në ‘Karagaçi’ do të ishte shumë i mundshëm për trajnerin kroat, gjithnjë nëse skuadra ia plotëson kushtet. Për gazetën Arena, Danijel Lutz, tregon dy muajt e tij larg basketbollit kosovar.
Arena: Trajner, ka dy muaj që jeni larguar nga Peja dhe Kosova. Me çfarë jeni marrë gjatë kësaj kohe?
Lutz: Kam pasur disa probleme personale të cilat jam munduar t’i zgjedh. Për atë arsye jam larguar nga Peja. Më është dashur të merrem me disa gjëra të miat, duke mos pasur shumë kohë për të bërë diçka tjetër.
Arena: A keni marrë ndonjë ofertë gjatë kësaj kohe dhe cilat janë planet tuaja tash?
Lutz: Unë sigurisht se e shoh vetën me basketboll, si trajner ose diçka rreth këtij sporti. Oferta nuk kam pasur, përveç thirrjeve të njerëzve për të më pyetur pse jam larguar nga klubi i Pejës. Kam biseduar me njerëz që i njoh, por që oferta konkrete nuk ka pasur. Shpresoj se stinorin e ri unë do ta gjej një skuadër për të drejtuar.
Arena: Sa keni pasur kohë për të shikuar ndeshjet e Pejës pas largimit? Besoj se jeni të informuar që Peja nuk arriti fazën finale të Ligës Ballkanike.
Lutz: Po, i kam ndjekur rezultatet e skuadrës. Fatkeqësisht, ndodhi ashtu për Pejën. A isha unë arsyeja e këtij dështimi? Nuk mund të them ashtu, orari nuk ishte i mirë. Trajneri i ri, Savoviq, bëri më të mirën e tij por ndonjëherë gjërat nuk shkojnë në mënyrën e duhur. Lojtarët ishin të pafat, por ata duhet të vazhdojnë tutje dhe të punojnë pasi meritojnë më shumë. Nuk ka arsye të veçantë për formën jo të mirë pas largimit tim.
Rikthimi i mundshëm
Arena: A do të riktheheshe te Peja për stinorin e ri?
Lutz: Sigurisht. Nëse skuadra shfaq interesim për mua, do të mund të uleshim për të biseduar dhe nëse klubi ka synime të qarta, mund të arrinim një marrëveshje. Duhet të sqarojmë situatën në klub. Gjithsesi, unë nuk e di se si do të jetë situata deri atëherë, kështu që është ende herët. Askush nuk e di të ardhmen. /Arena/Telegrafi/