Trajneri kroat i Pejës shprehet mjaft i entuziazmuar në prag të fillimit të stinorit, edhe pse me gjithë përgatitjet intensive, ai ende nuk është i sigurt nëse KB Peja është apo nuk është në nivelin e duhur. Por ai prêt që ky nivel të arrihet pas një kohe të shkurtër. “Ne kemi vazhduar përgatitjet pas ndeshjes së Superkupës ndaj Sigal Prishtinës dhe për momentin nuk mund të them nëse Peja është apo jo e gatshme për stinorin e ri. Këtë më së miri do ta shohim në ndeshjen e parë që do ta kemi këtë sezon ndaj Bashkimit, ekip i cili ka bërë disa ndryshime dhe duket mjaft ambicioz”, tha trajneri pejan. Lutz po ashtu ështe shprehur paksa i brengosur me lëndimet e disa lojtarëve në prag të sezonit të ri.
“Moroviç e Radoni po vuajnë lëndimet dhe janë duke punuar intensivisht. Në anën tjetër në miqësoren e fundit po ashtu Shima ka pësuar një lëndim, i cili nuk mund të them nëse është serioz apo jo. Megjithatë shpresoj se Shima do te jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Bashkimit”, shtoi kroati.
Sidoqoftë edhe në këtë situatë Lutz beson në ekipin e tij. “Jam mjaft i kënaqur me lojtarët e mi, si ata vendor, e po ashtu edhe ata të huaj. Kemi ende mundësi të bëjmë edhe një transfer, por ajo që më brengos më shumë janë lëndimet. Por pavarësisht asaj se a janë lojtarët në formë të mirë apo jo, kur keni lëndime në ekip nuk mund të jeni të lumtur”. Sipas Lutz basketbolli kosovar këtë vit ka përjetuar ndryshime të mëdha.
“Ekipet këtë vit duken më ambicioze. Pothuajse gjitha ekipet kanë bërë investime dhe pjesëmarrja e Sigal Prishtinës dhe Pejës në BIBL duket se ka ndikuar në rritjen e ambicieve edhe nëpër klubet tjera”. “Para se të vija në Kosovë, kam dëgjuar se njerëzit e duan basketbollin, investojnë dhe mundohen ta ngrisin nivelin. Por, vetëm kur kam ardhur në Pejë, jam bindur personalisht me këtë. Me të vërtet jam befasuar për të mirë. Basketbolli, njerëzit dhe atmosfera këtu janë shumë më mirë sesa që e prisja”, tha Lutz. /Zëri/Telegrafi/