Site icon Telegrafi

Lutje dhe rrëfime

“No More Shall We Part” është një album i rëndë për të dëgjuar, i cili nuk jepet me të parën. Sa më shumë që dëgjohen këngët, që përcillen vargjet, albumi hapet më shumë para dëgjuesit, për të treguar një thellësi të rrallë artistike.

Nga: Blerim Shala (publikuar për herë të parë, në Javoren Politike Shqiptare – “Zëri”, më 2001)

Thuhet që është fenomen në muzikën rok. I ka përjetuar të gjitha ankthet e mundshme të një autori të suksesshëm dhe të famshëm në rok. Disa herë ka qenë buzë vdekjes. Shpeshherë është menduar që ky nuk ka më çfarë të thotë a të këndojë, që është shterur, që ka vdekur si autor … Por, ky i ka mbijetuar të gjitha. Dhe, vitin e kaluar, pas një pushimi katërvjeçar, editoi albumin më të mirë të karrierës, “No More Shall We Part”. Ky album ishte me siguri ndër pesë më të mirët në vitin 2001.

Shmangia e gravitetit të honit

Nick Cave lindi më 1957, në Australi. I ati i tij, në fëmijëri, i lexonte shpesh fragmente të librave të Dostojevskit dhe të Nabokovit. Në fund të leximit i thoshte me një entuziazëm të madh: “Biri im, kjo është letërsi …”.

Cave Juniori do të jetë i suksesshëm në bashkëdyzimin e rokut dhe të letërsisë.

Si 18-vjeçar, do të nisë karrierën e tij me grupin e quajtur “Boys Next Door”. Prej Australisë Nick Cave do të shkojë në Londër, pastaj në Berlin. Ishin të tetëdhjetat, mesi i tyre, atëherë kur roku kishte U2-në me fuqinë e mesazheve politike, The Smiths me cinizmin e tyre, dhe grupet e errëta si “The Sisters Of Mercy” dhe “The Mission”. Cave për shumëkënd u zbulua në filmin e Wendersit, “Qielli mbi Berlin”, ku ky ekzekuton një këngë me grupin e vet.

Ndryshimet e mëdha në historinë e Evropës, në ndërrimin e dekadave, Cave-in e gjejnë si autor të një libri “And the Ass saw the Angel”, si aktor në filmin “Ghosts … of the Civil Dead” dhe si yll roku, i cili editon albume të suksesshëm, një pas një.

Në albumin “Murder Ballads”, të dhjetin me radhë në karrierën e tij, me të në këngë dhe në videoklipe do të paraqiten edhe Polly Jean Harvey dhe Kylie Minogue. Bashkëpunimi me australianen Minogue, për shkak të karrierës së saj të një këngëtareje pop, ishte përqeshur dhe përçmuar prej shumëkujt, për dallim prej PJ Harvey-it e cila është një autore e madhe.

Cave-it nuk i bëhej vonë. Si zakonisht. Me Harvey-in kishte një aferë të shkurtër dashurie, e cila mund të ishte fatale për të dy. PJ Harvey kishte vendosur të braktisë karrierën e saj dhe kishte lënë në gjysmë incizimin e albumit “Is this Desire?”, ndërsa Cave sërish përpiqej t’i shmanget gravitetit të honit.

Ata që e njohin, thonë që Cave e ka vetëm një fytyrë. Atij nuk i ndahet mendimi që gjithmonë ka bërë atë që ka dashur të bëjë. Që nuk ka bërë pra farë kompromisi të dëmshëm ku karriera ka diktuar kreativitetin e tij, por anasjelltas. Atë, ta zëmë, kur nuk mund ta shihni duke qeshur në skenë, duke u munduar të krijojë farë atmosfere gazmore në koncert. Nuk ka falsitet tek ai, as në albume, as në koncerte. Tash ai është i bindur që si 45-vjeçar duhet t’i drejtohet mocanikëve, që ashtu së bashku, mund t’i ndajnë telashet e mesomoshës.

I pëlqen që po plaket

Nuk ka më pasion, siç thotë, të këndojë për të rinjtë. Ata kanë muzikën e tyre. I biri i tij, Luke, nuk do të lexojë Dostojevskin, as do të mahnitet me muzikën e të jatit. Ai preferon post-pankun muzikën e Green Day.

Cave seniori thotë tani që dëshiron të rehatohet. Është martuar më 1999, në Ditën e Eklipsit. I pëlqen që po plaket.

Në albumin e tij të fundit, “No More Shall We Part”, të thuash nuk ka këngë në të cilën Cave nuk preokupohet me dashurinë dhe me Zotin. Me përdorim minimalist instrumentesh, ku mbizotëron pianoja, me një produksion të matur, me vargjet e tij që e bëjnë Cave-in njërin ndër poetët më të mëdhenj të rokut të sotëm (tok me Dylanin, Springsteenin dhe PJ Harvey-in), Cave bën që kënaqësia e tij me jetën e tashme të mos shprehet me një rënie të cilësisë së këngëve të tij.

“No More Shall We Part” është një album i rëndë për të dëgjuar, i cili nuk jepet me të parën. Njëkohësisht, ky album nuk është refuzues. Sa më shumë që dëgjohen këngët, që përcillen vargjet, albumi hapet më shumë para dëgjuesit, për të treguar një thellësi të rrallë artistike të kohës sonë. Dhe, gjithmonë, në çdo këngë dhe në çdo varg, Cave është i sinqertë. Edhe pse tashti, i pajtuar me veten dhe me botën, ai komunikon me demonët e vet të cilët vazhdojnë ta brejnë në jetë dhe në ëndërr.

Cave arrin t’i shmanget patetikës, ai nuk është i mërzitshëm, ai nuk vajton.

Ai i lutet Zotit në mënyrën e tij, ai beson në dashuri, në mënyrën e tij.

Ai na rrëfehet të gjithë neve të cilët e dëgjojmë.

Dhe në këngët e tij, zënë vend edhe makthet dhe lutjet e secilit prej nesh. /Telegrafi/

 

Exit mobile version