Telegrafi

Lutja e nënës nga Kosova, që ia “rrëmbyen” djalin para 20 vitesh në Serbi: Dua veç t’ia ndjej frymëmarrjen

Hajrije Morina është një 51 vjeçare, e cila prej shume vitesh jeton në Francë, ndërsa me origjinë është nga Komarani i Kosovës. Ajo thotë se prej 20 vitesh ka një brengë që po i gërryen shpirtin.

“Para shume vitesh, unë kam qenë e martuar në familjen Korelli në fshatin Polac – Komuna e Skenderajt. Pas 11 vitesh martese mbeta shtatzënë dhe kjo ishte lumturia me e madhe për mua dhe familjarët e mi.  Në vitin 1998 dhe konkretisht me 10 janar unë solla në jetë djalin tim të parë. Kjo lindje u krye në spitalin ‘Narodni Front’ të Beogradit dhe qëndrova disa ditë në spital”, ka thënë Morina në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24, raporton BalkanWeb.

“Pas katër ditëve lumturie që u bëra nënë, aty mjeket më tregojnë se foshnja ime kishte ndërruar jetë. Nuk mund ta besoja, pasi ai gëzonte shëndet të plotë. Mos besimi në këtë lajm ishte dhe tek trupi i foshnjës, pasi nuk ma treguan më kurrë dhe nuk më dhanë shpjegime të mëtejshme. Kujtoj vetëm numrin 213 që im bir mbante në dorë, numri identifikues”.

“Jeta ime vazhdoi me të tjera hidhërime, bëra tre aborte, dhe në 2008 në një aksident tragjik humba dhe bashkëshortin”, rrëfen ajo.

“Largimi nga jeta e bashkëshorti është momenti më i vështirë në jetën time. Prej 7 vitesh jetoj në Paris, s’kam probleme, por e gjithë ka qenë brenga ime. Kemi pasur një jetë shumë të lumtur”.

“Nuk ishte e lehte për mua të rinisja jeten, emigrova, drejt Francës, tashmë jam rimartuar dhe jetoj prej vitesh në këtë shtet. Nuk jam bërë më nënë dhe pse shumë e kam dëshiruar. Sot pas 20 vitesh jam në kërkim të djalit tim. Shpirti ma ndjen që është gjallë. S’kërkoj asgjë më nga kjo jetë, veç të ndjej frymëmarrjen e tim biri”.

Dua të heq brengën time prej shpirti, i gjallë, o i vdekur, çfarë mund të bëjmë.  Po të ishte gjallë, mbase s’do të më shohë, s’do më dojë, por të paktën unë do jem gjithnjë me të. Sytë i ka pasur si babai i tij. Do mjaftonte vetëm ta shihja që të ishte gjallë,” rrëfeu 51-vjeçarja.