Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri deklaratat e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli i ka quajtur si një lloj komunikimi të tij me partitë opozitare në kuadër të një komunikimi për normalitet me ta, të cilët po i mbajnë peng Demarkacionin dhe Asociacionin.
“Nuk mundet me u ble normaliteti politik me partitë opozitare me deklarata publike, në kohën kur Kosova politikisht është duke u parë bardh e zi”, ka thënë Haziri.
Haziri ka theksuar se çështja e Demarkacionit nuk i përket kryeministrit Mustafa, sepse siç thotë ai, Mustafa e ka kryer punën e tij.
Ai ka ftuar që të mos luhet lojë ping-pongu në procese të këtilla politike.
“Është detyrë e kryetarit të Kuvendit me strukturat e Kuvendit që me punë shumë të përmbyllë procesin e Demarkacionit, sepse Isa Mustafa e ka kryer punën e vet”, sqaron Haziri.
Ai ka folur edhe për vrasjet politike, ku ka thënë se drejtësia ndërkombëtare e instalime në Kosovë pas luftës nuk ka dhënë rezultate në këtë drejtim.
“Ne besojmë që Gjykata Speciale do ti mbyllë këto plagë”, thotë Haziri.
Ndërkaq për aderimin e biznesmenit Ramiz Kelmendi në LDK, Haziri tha se ai ka bërë kthim të natyrshëm në shtypin e tij, pasi që ai ka qenë mbështetës i rregullt me dekada i LDK-së në Pejë.
Haziri ka folur edhe për mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme duke thënë se “LDK del e para definitivisht”.
“Bazën e ka prej vitit 2007, sepse ka qenë momenti kur kemi vendos me rikthy LDK-në, sepse e kemi detyrë t’i bashkojmë anëtarët dhe votuesit e LDK-s”, tha Haziri.
Ai tha se LDK e ka bërë gabimin e vetëm në vitin 2006.
“Krejt partnerët tanë në Europë e SHBA po e presin fitoren e LDK-së në Kosovë”, shtoi Haziri./Telegrafi/