Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka suspenduar nga puna zyrtarin e tatimit në pronë (B.K.), i cili është arrestuar sot nga Policia e Kosovës nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve/vërtetimeve të tatimit në pronë.
Vendimin për suspendim Haziri e ka marrë në përputhje me kompetencat që burojnë nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale, ndërkaq ka shprehur qëndrimin për zero tolerancë ndaj korrupsionit.
“Komuna e Gjilanit nuk e paragjykon rastin dhe deri në shpalljen e verdiktit përfundimtar nga Gjykata kompetente, zyrtari në fjalë konsiderohet i pafajshëm”, thuhet në njoftimin e bërë për media, transmeton Telegrafi.
Ndërkohë, Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan, ka njoftuar se pas hetimeve disa mujore, me autorizim të prokurorisë kompetente ka siguruar dëshmi në lidhje me dyshimin e arsyeshëm se i dyshuari me iniciale (B.K.) zyrtar në Gjilan, dyshohet se ka falsifikuar dokumente/vërtetime që ndërlidhen me tatimin në pronë. /Telegrafi/