Site icon Telegrafi

Lutfi Haziri rizgjidhet kryetar i LDK-së në Gjilan

Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan, ka mbajtur sot Kuvendin e nëntë Zgjedhor, ku me mbështetje absolute të 101 delegatëve është rizgjedhur kryetar i Degës edhe për një mandat katër vjeçar Lutfi Haziri.

Kryetari i rizgjedhur i LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka falënderuar 101 delegatët për mbështetjen absolute, duke thënë se ky është besim i madh dhe një përgjegjësi edhe më e madhe për të.

“Kjo është përbërja më e mirë dhe më reprezentative që është zgjedhur sot më mbështetjen tuaj unanime. Sot janë zgjedhur aktivistët dhe profesionistët më të dëshmuar, duke përfshirë edhe gruan, e edhe rininë. Pra, në LDK duhet të afrohen të tjerët, e jo të përjashtohen. Dhe jam shumë i lumtur dhe krenar me këtë unitet dhe mbështetje të jashtëzakonshme që erdhi nga njerëzit e zgjedhur”, ka thënë kryetari Haziri.

“Ju siguroj që për mua anëtarët e LDK-së janë më të rëndësishëm se funksionarët. Së bashku do ta kombinojmë një lidership lokal i cili del nga strukturat e Këshillit Drejtues, njerëz që kanë përvojën e qeverisjes në dy shkallët dhe njerëzit që bartin përgjegjësi në të kaluarën 30-vjeçare, duke i përfshirë të gjitha grupmoshat. Ruajeni këtë besim sepse nuk do t’ju dëshpëroj. Ju faleminderit pafund”, pohoi Haziri.

Në njoftimin e bërë për media nga LDK thuhet se, këtë proces zgjedhor e karakterizon fakti që afro 50 për qind të të zgjedhurve nëpër nëndegë janë emra e personalitete të reja në strukturë, me pjesëmarrje të mbi 6 mijë njerëzve, përderisa janë zgjedhur 980 aktivistë e veprimtarë./Telegrafi/

 

Exit mobile version