Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, po vazhdon të mbrojë idenë e tij për ndryshimin e kufijve mes Kosovës e Serbisë.
Në deklaratën e tij të fundit, Haziri ka thënë se mendimi i tij për ndryshimin e kufirin mes dy shteteve ndryshon nga ai i LDK-së.
Ai shtoi se nëse ndryshimi i kufirit do të ndihmonte në pajtimin e Kosovës me Serbinë, atëherë do të ishte njëra ndër rrugët e zgjidhjes së problemit mes vendeve.
“Mendoj se kjo do ndihmonte në pajtimin e Kosovës me Serbinë, kjo është njëra nga rrugët e zgjidhjes se problemit në mes të dy vendeve”, tha Haziri.
Sipas Hazirit, me ndërrimin e territorit Kosova nuk do të humbiste asgjë.
“Tri komunat me shumicë shqiptare në Serbi janë peng i politikës. Ndërrimi i territorit nuk do të dëmtonte Kosovën, kjo do të ishte e mundshme me një marrëveshje dypalëshe në mes dy shteteve”, u shpreh ai.
Sipas tij, shqiptarët si shumicë në Luginën e Preshevës, duhet t’i bashkohen Kosovës dhe të mos jetojnë në shtetin të cilin nuk e duan, ndërsa Leposaviqi dhe 17 fshatra, si shumicë absolute serbe, t’i bashkëngjiten Serbisë.
Ndryshe, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka kritikuar idenë për ndryshim kufijsh, duke thënë se kryetari i LDK-së Isa Mustafa duhet ta disiplinojë Lutfi Hazirin.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, po ashtu kishte marrë një kundërpërgjigje nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa, pas kritikave që i kishte bërë Avdullah Hotit për mënyrën se si po e drejtonte procesin e dialogut.
Një qëndrimi të tillë të Mustafës, Haradinaj i është përgjigjur të hënën në T7, duke thënë se ai duhet të disiplinojë fillimisht Lutfi Hazirin.
“Isa Mustafa ta disiplinojë Lutfi Hazirin që po e hapë gojën për ndryshim të kufijve. Tërë kohën po deklarohet për 17 fshatra atje, deklarata të cilat janë të panevojshme”, tha ai. /Telegrafi/