Site icon Telegrafi

Lustrimi në Maqedoni, gjashtë viktimave shteti do t’u paguajë 32.400 euro

Gjykata evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg, ka dhënë gjashtë vendime kundër Maqedonisë së Veriut dhe në favor të gjashtë personave që kanë qenë viktima të lustrimit. Kështu ka deklaruar agjendja qeveritare për përfaqësimin e Maqedonisë së Veriut para gjykatës evropiane, Danica Xhonova, e cila tha se vlera e dëmshpërblimit për këto gjashtë vendime është 32 400 euro. Xhonova për agjencinë e lajmeve MIA ka sqaruar se përveç këtyre lëndëve nuk mund të jep informacione të tjera, nëse në Strasburg ka aplikime të tjera lidhur me këtë temë ose jo. Sipas saj edhe shteti për herë të parë mëson për aplikimet e dorëzuara, atëherë kur të njëjtat dorëzohen për përgjigje.

“Nga momenti i dorëzimit të tyre në Strasburg deri në momentin e dorëzimit të tyre në shtet për përgjigje, mund të kalojnë vite. Vlera e përgjithshme e dëmshpërblimit nga gjashtë gjykimet e deritanishme është 32.400 euro”, tha Danica Xhonova, Agjent qeveritar për përfaqësimin e RMV-së më Strasburg.

Xhonova ka shtuar më tej se për momentin po vijojnë procedurat e lëndëve për Vlladimir Millçin, Kirill Psaltirov dhe Nikollçe Babovski. Përndryshe, gjykimi i parë në Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut, kundër procesit të lustrimit në Maqedoni ishte për ish gjykatësin e kushtetueses Trendafil Ivanovski, të publikuar në janar të vitit 2016, vendim ky që u bë i plotfuqishëm në prill të vitit të njejtë. Më pas ka vijuar gjykimi për Petar Karajanov, në vitin 2017. Në 2018-tën për Isak Ajrulin dhe Nikolla Kosturskin. Gjykimet e fundit kundër procesit të lustrimit nga ana e Gjykatës evropiane janë publikuar në vitin 2019, gjegjësisht në shtator u publikuan vendimet për Dragi Bileskin dhe në nëntor për ish deputedin e PPD-së Sefedin Haruni.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë se Veriut, më 24 dhjetor 2019, miratoi tekstin e Projektligjit për shpalljen e pavlefshme dhe anulimin e akteve ligjore, veprimeve, masave dhe pasojave juridike të procedurave të lustrimit.

Zgjidhja e re e propozuar heq pasojat e dëmshme për personat që ishin viktima të këtyre procedurave para Komisionit për Verifikimin e Fakteve, para gjykatave kompetente dhe autoriteteve të tjera, dhe në përputhje me Projektligjin, për personat e dëmtuar nga këto veprime, parashikohet dëmshpërblim. Propozim ligji ishte në rend dite në komision parlamentar për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, por për shkak të mungesës së kuorumit dhe mungesës së deputetëve të BDI-së, Partisë Demokratike të turqve dhe të OBRM-PDUKM-së, seanca u shty.

Kujtojmë se gjatë punës gjashtë vjeçare, Komisioni për lustrim shpalli spiunë rreth 200 persona, ndërsa thuajse gjysma e tyre ishin të vdekur. Ky komision është formuar në vitin 2009, ndërsa është anuluar në shtator të vitit 2015./Shenja/

Exit mobile version