Drenica ka pësuar humbjen e 10-të këtë edicion në BKT Superligën e Kosovës.
Kuqezinjtë nga Skenderaj u mposhtën në udhëtim nga Ulpiana me rezultat 3-1.
Trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku deklaroi pas ndeshjes se skuadra e tij kishte udhëtuar në Lipjan për rezultat pozitiv, por që luajtën dobët dhe humbën takimin.
“Kemi udhëtuar për rezultat pozitiv, por sot kemi pasur një paraqitje të dobët. Nuk jam i kënaqur me mënyrën e lojës që kemi luajtur”.
“Kemi pasur shumë gabime në pasime dhe në mbulim të kundërshtarit, ishim shumë të ngathët”.
“Mendoj që Ulpiana e ka fituar ndeshjen me mirët. E ka dashur fitoren më shumë, ka vrapuar më shumë”, u shpreh Lushtaku.
Tutje trajneri i Drenicës tha se kur skuadra nuk luan mirë, gjithmonë pëson humbje.
“Kur ekipi nuk luan mirë, pëson. Ne sot nuk kemi mundur ta aplikojmë lojën tonë. Ky terren është i mirë dhe na mundëson të luajmë bukur, pasi kemi lojtar të mirë të cilët janë të rrezikshëm dhe luajnë mirë me kombinime. Ulpiana, të gjitha golat që i ka shënuar, i ka shënuar me gabime tona. Ne duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës”, deklaroi Lushtaku. /Telegrafi/